Kosova

Largimi i strikersave nga targat, Von Cramon: Një hap më shumë drejt njohjes de facto të Kosovës nga Serbia


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitësve/stikersave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Vendimi i ekzekutivit kosovar për largimin e stikersave për targat e automjeteve serbe erdhi pasi Qeveria e Serbisë lejoi qarkullimin e targave të Republikës së Kosovës (RKS) në territorin serb.

Këto vendime reciproke nga të dyja shtetet, sipas eurodeputetes gjermane, dëshmojnë faktin se Serbia ka bërë një hap përpara në drejtim të njohjes de facto të Kosovës, duke kontribuar për paqen dhe prosperitetin në rajon.

“Nuk ka më ngjitëse në targa kur udhëtoni nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Ajo që ishte projektuar si masë e përkohshme përfundimisht është anuluar. Një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqen dhe prosperitetin në rajon”, ka shkruar Cramon në platformën sociale, X.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte, përmes një postimi në platformën sociale në Facebook, ka shpjeguar se si ka ardhur deri te vendimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Meqë Policia e Kosovës, sipas Kurtit, ka konstatuar se targat e Republikës së Kosovë (RKS) po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë nga 1 janari 2024, atëherë Qeveria e Kosovës, në shpjegimin e Kurtit, bazuar në parimin e reciprocitetit ka vendosur lejimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, pa regjimin e stikersave.

Por, sipas tij, në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për targat RKS, atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore