Kosova

Kurti shpjegon pse u larguan stikersat nga targat e Serbisë: Nëse gjendja ndryshon, veprojmë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte përmes një postimi në platformën sociale në Facebook, ka shpjeguar se si ka ardhur deri te vendimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Meqë Policia e Kosovës, sipas Kurtit, ka konstatuar se targat e Republikës së Kosovë (RKS) po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë nga 1 janari 2024, atëherë Qeveria e Kosovës, në shpjegimin e Kurtit, bazuar në parimin e reciprocitetit ka vendosur lejimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, pa regjimin e stikersave.

“Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare”, ka potencuar fillimisht Kurti.

Por, sipas tij, në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për targat RKS, atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë.

“Kjo situatë e re i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve. Por ky vendim fillimisht po vjen pas përdorimit dy vjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në Veri të vendit tonë; dhe, tash së fundmi, si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje (sidomos në Beograd)”.

Kurti, ndër të tjera ka ritheksuar se lejimi i tabelave RKS në Serbi, duhet të lexohet si një manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake.

“Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në Veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore