Kosova

Lajçaku vijon angazhimin diplomatik në Nju Jork, takon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së


Mirosllav Lajçak dhe Antonio Guterres

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, njoftoi nëpërmjet një postimi në platformën “X” se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), takoi Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

“Jam shumë i lumtur që takova Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së sot në Nju Jork. Unë pata rastin ta informoj për punën time të vazhdueshme dhe i jam mirënjohës për interesimin e tij të madh dhe mirëkuptimin e thellë të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor”, shkroi diplomati sllovak.

Lajçaku takoi të mërkurën edhe ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për  t’u koordinuar rreth strategjive për ta çuar përpara dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por asnjëri prej tyre nuk zbuluan detaje shtesë rreth takimit.

“Diskutime të rëndësishme me Escobarin dhe Lajçakun. Ne koordinuam strategjitë për të çuar Kosovën dhe Serbinë përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA mbështet fuqishëm dialogun si rrugë drejt marrëdhënieve paqësore dhe produktive”, shkroi O’Brien në platformën “X” të mërkurën.

Ndryshe, dy protagonistët kryesorë që aktualisht mbulojnë pjesën më të madhe të përpjekjeve evropiano-amerikane për “formulën e zgjidhjes” në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pritet të marrin poste të reja diplomatike deri verës.

Lajçaku pritet të vazhdojë karrierën diplomatike në pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se brenda pak javësh Escobari do të marrë detyrë të re në shërbimin e jashtëm.

Sidoqoftë, ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun e Escobarin në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ndonëse procesi i dialogut mund të mbetet periferik për shkak të këtij rotacioni diplomatik, përpjekjet e përbashkëta të BE-së dhe SHBA-së pritet të vazhdojnë.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve nën mandatin e Lajçakut dhe Escobarit, fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës, pastaj për planin e sekuncimit të marrëveshjes më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, dy diplomatët ende nuk kanë arritur t’i bindin palët ta zbatojnë të njëjtën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore