Me 76 vota për asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së shtunë të 15 janarit në një seancë të jashtëzakonshme e ka miratuar rezolutën kundër Referendumit serb të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Rezoluta kundër mbajtjes së referendumit serb në territorin e Kosovës e propozuar nga Grupi Parlamentare i Lëvizjes Vetëvendosje u mbështet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupi Parlamentar multi-etnik.
Ndërsa këtë seancë të jashtëzakonshme nga fillimi e kishte bojkotuar Partia Demokratike e Kosovës.
8 pikat e Rezolutës, të harmonizuara mes 4 grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kanë këtë përmbajtje:
Kuvendi i Republikës së Kosovës si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës si dhe normat dhe praktikat ndërkombëtare.
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikës së Kosovës.
Kuvendi thekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Në këtë frymë Kuvendi i Republikës së Kosovës afirmon të drejtën e qytetarëve me dy shtetësi të Republikës së Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë, u garantohet e drejta që të votojnë nëpërmjet postës apo zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.
Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës sikundër edhe përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë , përben shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe praktikave ndërkombëtare.
Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serb të Republikës së Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të Bashkësisë Ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen e të drejtat legjitime dhe çasjen parimore të Republikës së Kosovës meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund të garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma Euro-Atlantike e rajonit tonë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës Euro-Atlantike në rajonin ton. Jemi të bindur që kjo qasje dhe ky qëndrim është parimor, nuk është kundër askujt, është për të mirën e të gjithëve pa diskriminuar dhe pa privilegjuar asnjëri. Pra, është edhe vlerë edhe dobi, edhe e drejtë edhe drejtësi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Ambasadorja e SHBA-ve në NATO, thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të rrisin shpenzimet e mbrojtjes
-
Kush është Ilya Sutskever, shkencëtari i shkëlqyer që u largua nga OpenAI
-
Debutimi i Ermonela Jahos në Shtëpinë e Operas Mbretërore, Rama: Krenar për shqipet
-
Shkencëtarët mund të kenë zgjidhur misterin e piramidave të Egjiptit
Lajmet kryesore
-
Mustafa për AP: Paradoksal dhe jo-serioz propozimi i Qeverisë për Asociacionin që s’e ka trajtuar dialogu
-
Vula e PD-së, Apeli cakton datën e gjykimit
-
Dëshmia rrëqethëse e një neurokirurgu amerikan që shkoi në Gaza për të shpëtuar jetë
-
Dinari vazhdon të përdoret në Veri për kryerjen e pagesave, askush s’i kontrollon