Lajme

Kush është Rustem Umerov, personi që mund të marrë drejtimin e Mbrojtjes së Ukrainës


E diela e 3 shtatorit u mbyll me një lajm që trondit për të parën herë në mënyrë serioze gjithë kabinetin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi ky i fundit ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i cili e mbante postin që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

“Oleksiy Reznikov ka kaluar më shumë se 550 ditë luftë në shkallë të gjerë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm të mbrëmjes. “Unë besoj se ministria ka nevojë për qasje të reja dhe formate të tjera të ndërveprimit si me ushtrinë ashtu edhe me shoqërinë në përgjithësi”.

Me kaq u ndal Zelensky në adresimin e tij për publikun, ku bëri me dije edhe se pretendon që të propozojë Rustem Umerov, shefin e fondit kryesor të privatizimit në Ukrainë, për pozitën e lartë qeveritare.

Umerov është një politikan, biznesmen, investitor dhe filantropist, i cili ka origjinë tatare nga Krimea, i lindur gjithsesi në Uzbekistan.

Ai u bë një figurë më e njohur në rrafshin ndërkombëtar, pasi u zgjodh si deputet përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe po ashtu u përfshi nga Zelensky në grupin negociator të fillimluftës, ku palët zhvilluan tryeza për të parë mundësinë e një ujdie, me qëllim shuarjen e konfliktit.

Umerov njihet për themelimin e kompanive me rëndësi në Ukrainë dhe me investime të shumta, të cilat përfshijnë edhe rangje universitare, si degë të Stanford.

Që nga viti 2019, Umerov, 41-vjeçar, ka qenë deputet i Ukrainës nga partia politike Holos. Në shtator 2022, Verkhovna Rada e emëroi atë si kreun e Fondit të Pronës Shtetërore të Ukrainës.

Teksa, tashmë, me propozimin e Zelenskyt dhe me pëlqimin e Parlamentit, ai mund të bëhet ministri i ri i Mbrojtjes urkainase, ndër figurat më të rëndësishme për shtetin në këto ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore