Lajme

Kusari-Lila: Pakënaqësitë e veteranëve janë akumuluar ndër vite


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se situata e krijuar me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Kuvendit, është si rezultat i akumulimit të pakënaqësive ndër vite.

Në një konferencë për media, ajo theksoi se veteranët që kanë luftuar, nuk e dëmtojnë vendin.

“Megjithatë, unë e di se secili veteran, i cili ka luftuar, nuk e dëmton vendin, gjegjësisht as ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, apo t’i shkaktojë dëme dikujt tjetër”, tha ajo pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Ndër të tjera, theksoi se lista e veteranëve është deformuar dhe, sipas saj, ato duhet të trajtohen.

“Është e vërtetë se ka një deformim ndër vite në listat e veteranëve”.

“Veteranët meritojnë trajtimin dinjitoz. Do të arrijmë deri te zgjidhja. Është një vit qeverisje, do të duhet edhe kohë, edhe planifikim e rivlerësim të situatave dhe rrethanave. Situata me veteranët ekziston me shumë vite. Nuk është Qeveria Kurti që e ka përkeqësuar gjendjen, nuk ka krijuar pakënaqësi”, shtoi ajo.

Protesta e OVL-UÇK-së.

Kryesia e Kuvendit mori vendim që seanca e re të mbahet javën e ardhshme, më 16 qershor.

Kusari-Lila bëri të ditur se kryesia do të mblidhet sërish të hënën që vjen.

Ndryshe, pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë 170 euro. Kjo shumë do të mbetet po kaq edhe kur Qeveria e Kosovës të rrisë pragun e pagës minimale në mbi 250 euro siç është paralajmëruar.

Rrjedhimisht, pensioni i ish-luftëtarëve në Kosovë nuk barazon as pagën minimale në vend, prandaj Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po organizon protesta në Prishtinë.

Të mbeten në këtë shifër si pension mujor, nga OVL është konsideruar si “diskriminim që po u bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore