Kosova

Opozita prapë me qëndrime të ndryshme për zgjedhjet e reja


Arben Gashi, Adnan Rrustemi, Abelard Tahiri.

Opozita as këtë javë s’ka arritur që të deklarohet me një qëndrim të përbashkët për zgjedhjet e reja të parakohshme që po kërkohen nga pushteti e partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, ndërkaq nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si zgjidhje të duhur po vazhdojnë ta shohin shpërbërjen e Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se e vetmja zgjidhje për të shkuar në zgjedhje të reja është dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Sa i përket zgjedhjeve, zgjidhja është dorëheqja e kryeministrit. Zgjidhja duhet të jetë dorëheqja”, ka thënë Gashi për gazetarët.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kanë mbetur vetëm edhe dy ditë që Kosovës t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor ose korrik – por, që kjo mund të bëhet nëse vendoset për shpërndarjen e Kuvendit.

“Këto dy ditë do t’i japin një epilog, e do të presim deri në momentin e fundit, që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme që vjeshta ose shtatori ta zë vendin tonë me një kryeministër të ri që e nxjerr Kosovën nga kriza”, ka thënë Tahiri.

Ndonëse, opozita s’doli me qëndrime të ngjashme sipas tij partitë politike kanë një reflektim për t’i mundësuar zgjedhjet e parakohshme nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka ritheksuar qëndrimin e tyre për zgjedhjet e reja.

Ai ka kërkuar nga opozita që të kenë pajtueshmëri me njëri-tjetrin, e pastaj të kërkojnë zgjedhje.

“Qëndrimi i VV-së është i qartë, ne jemi dakord që nëse ka pajtueshmëri të gjerë të opozitës dhe mazhorancës, për një datë për zgjedhje e shpërndarje të Kuvendit, jemi të gatshëm. Kjo kërkon përfshirjen dhe pjesëmarrjen e opozitës”.

“Data e zgjedhjeve është proces që përfshin të gjitha partitë. Nëse opozita ka pajtueshmëri jemi të gatshëm për ta diskutuar. Ka qenë në rrafshin e pritjeve të saj për seancë të enjten, nuk ka pasur kërkesë që të renditet si pikë shpërndarja e Kuvendit, por nëse opozita dakordohet për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje, grupi parlamentar është i gatshëm”, deklaroi Rrustemi.

Më 24 maj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, u ka dërguar letër kryeministrit, njëherit kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku e ka theksuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Letra e Krasniqit vjen në një kohë kur kryeministri Kurti është duke u takuar me partitë politike parlamentare në vend, si me ato të opozitës – ndonëse një pjesë e tyre e kanë refuzuar – ashtu edhe ato që i ka në koalicionin qeverisës, për të diskutuar për zgjedhjet e reja.

Në këtë drejtim kishte qenë letra që Kurti u kishte bërë liderëve të opozitës, pra Krasniqit, Haradinajt dhe Abdixhikut, për një takim më 13 maj.

Mirëpo, kësaj ftese i ishte përgjigjur vetëm PDK-ja, për çka është kritikuar ashpër nga njohës të çështjeve politike në vend, por edhe nga kolegët e tyre në opozitë, të cilët e kishin parë këtë si një tregues për një bashkëpunim të mundshëm mes këtyre dy subjekteve politike në të ardhmen.

Në kushtet normale, zgjedhjet parlamentare do të duhet të mbaheshin në shkurt të vitit 2025, mirëpo ka gatishmëri si nga pozita, ashtu edhe nga opozita që të njëjtat të organizohen më herët.

Por, dallimet për mënyrën se si të bëhet kjo e kanë krijuar një situatë që ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.

Pushteti dhe PDK-ja janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje të reja përmes shpërndarjes së kuvendit, ndërsa LDK dhe AAK kërkojnë që një gjë e tillë të bëhet përmes dorëheqjes së Kurtit, ose mocionit të mosbesimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore