Shqipëria

Begaj uron Kosovën për marrjen e statusit të asociuar në Asamblesë Parlamentare të NATO-s


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën për zgjedhjen në Asamblenë Parlamentare të NATO-s si anëtare e asociuar.

“Urime, Kosovë, për zgjedhjen Anëtare e Asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, ka shkruar Begaj në një postim në Facebook.

Asambleja sakaq është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Kosova merr statusin e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë

Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, miratoi të hënën rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar – një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.

Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, institucion që përbëhet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të aleancës, në mars të këtij viti vendosi në favor të avancimit të statusit të Parlamentit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar nga statusi i mëparshëm i anëtarit vëzhgues.

Anëtarët e asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Ata mund të paraqesin rezoluta dhe propozime për ndryshime në rezoluta. Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë e as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore