Kosova

Kurti udhëton në SHBA, pritet ballafaqimi me Vuçiç-in në OKB


Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku do të diskutohet situata në Kosovë, sidomos pas vendimit të Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit në territorin e Kosovës.

Kurti në seancën e OKB-së që pritet të mbahet të enjten do të jetë i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ambasadori i Serbisë në Misionin e OKB-së, Nemanja Stevanoviç, dorëzoi të hënën kërkesën e Serbisë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë.

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, Serbia në këtë seancë pritet të përfaqësohet nga presidenti, Aleksandër Vuçiç.

Kërkesa, sipas Serbisë, u dorëzua në përputhje me nenin 35 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe nenin 3 të Rregullores së Përkohshme të Punës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në letrën e dërguar të gjithë përfaqësuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Rusinë dhe Kinën, ishte pretenduar se situata në Kosovë është në kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244.

Serbia ka kërkuar që seanca të jetë e hapur në kërkesën që ia ka bërë Ministrisë së Jashtme të Guajanës, e cila aktualisht kryeson Këshillin e Sigurimit.

Dy herë në vit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë, ku diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Seanca e fundit e tillë u mbajt më 23 tetor 2023.

Tensionet janë rritur sërish pasi në Kosovë më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore