Lajme

Kurti takohet me ambasadoren McKee, flasin për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ndihmës Administratoren për Evropë dhe Euroazi në USAID, ambasadoren Erin E. McKee, me të cilën ka biseduar për mundësitë e zgjerimit të lidhjeve dhe thellimit të bashkëpunimit, në shërbim të dy vendeve dhe të dy popujve.

“Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren McKee me indikatorët më të fundit ekonomikë e demokratikë, për përparimin në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, reformat e deritanishme dhe të mëtejshme në sistemin e drejtësisë dhe kornizën ligjore, qeverisjen e mirë dhe planet e Qeverisë për investime në sektorin e energjisë”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë së Kosovës.

“U ritheksua mirënjohja për ndihmën e USAID-it për Kosovën, që deri më sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë, e që përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektorë të zhvillimit të vendit tone”.

Sipas njoftimit, Kurti shtoi se me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ndanë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore