Kosova

Kurti shpalos parimet e politikës së jashtme të Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së hapjes së edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike

“Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, janë parimet e politikës së jashtme të Kosovës”.

Kështu është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë ditës së hënë ishte pjesëmarrës në hapjen e edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, e cila organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung.

Kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, morri pjesë në edicionin e sivjetmë të Shkollës Diplomatike, që do të trajtojë temën “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë”.

Kurti nga këtu falënderoi diplomatët që kanë udhëtuar nga distanca të gjata për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje.

“Nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale në mes diplomatëve tonë do të mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim në mes vendeve dhe qeverive tona”, është shprehur Kurti.

Në anën tjetër, Ministrja Gërvalla, ka deklaruar se asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sesa Kosova.

Ajo madje ka potencuar se Kosova po punon me shumë partnerë të tjerë në të gjithë globin për të zhvilluar dhe thelluar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë, Gërvalla po ashtu ka bërë të ditur angazhimin qeveritar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Duke zbatuar një sërë reformash, mbi të gjitha me fokusin e saj të qartë në vendosjen e sundimit të ligjit, Qeveria e re po demonstron ndryshimin, i cili ka ardhur në Kosovë dhe që do të kontribuojë në rrugën tonë evropiane”, ka nënvizuar ajo.

Pas pjesëmarrjes së tij në edicionin e shtatë të Shkollës Diplomatike, Kryeministri Kurti, para mediave ka theksuar se ai nuk është kundër hapjes së arkivave të UÇK-së, duke shtuar se Kosova “s‘ka çfarë të fshehë”

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo na duhet ta zbardhim fatin e të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serbë por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, është shprehur Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore