Kosova

Kurti për takimin me Escobar: U theksua se barrikadat duhet të largohen, menjëherë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, derisa sipas njoftimit për media të Qeverisë u kërkua që barrikadat në veri të largohen sa më shpejtë të jetë e mundur.

“U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë”, thuhet në njoftim të zyrës për media të Qeverisë.

Sipas njoftimit, po ashtu u bisedua edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.

Ndërkaq Escobar, nuk ka pranuar të flas shumë për situatën në veri të Kosovës pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

“Nuk kam ndonjë koment, jemi pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm”, tha Escobar për RTK-në.

“Do të kem më shumë të them pak më vonë, do të kemi edhe disa takime të tjera pastaj do të diskutojmë”, shtoi ai.

Njëjtë si Kurti edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që barrikadat të largohen dhe personat që kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe ata të EULEX-it të përballen me drejtësinë.

“Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiçi”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Osmanit.

Ndryshe, në veri të Kosovës serbët kanë vendosur barrikada në fshatin Rudarë të Zveçanit në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Tensionet janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Që nga ajo kohë, në komunat me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore