Lajme

Kurti e transformoi politikën e jashtme të shtetit në një lojë të brendshme elektorale


Foto: Albanian Post

Tentimi për ta shmangur “elefantin në dhomë” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke refuzuar ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe deklarimi i tij se çështja e këtij mekanizmi nuk qenka e ndërlidhur me pranimin e Kosovës në KiE nga ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ambasadorë po shihet si “manipulim me opinionin publik” dhe jep indikacione “për zgjedhje të parakohshme”.

Në këndvështrimin e Afrim Kasolllit, ish deputet i LV-së, pretendimet se sotme të Kurtit se procesi i anëtarësimit të Kosovës me Këshillin e Evropës me atë të zbatimit të themelimit të Asociacionit nuk kanë lidhje njëra tjetrën, “janë të paqëndrueshme”.

“Që nga fillimi ka qenë e ditur se (mos)anëtarësimi i Kosovës në KiE, krahas plotësimit të kritereve ligjore, ka qenë i lidhur edhe me progresin e Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe planin e sekunencimit të dakorduar publikisht në Ohër ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, tha Kasolli.

Për Kasollin, Kurti duke mos e dërguar draftstatutin në Kushtetuese ka për qëllim që të krijohet përshtypja se kjo është qeveria e vetme e cila “pa kompromise me Serbinë” ia del që të anëtarësojë shtetin në organizata ndërkombëtare.

Afrim Kasolli

“Ndërkohë, votimi i raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bokojanis, në Asamblenë Parlamentare që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë u përdor si trofe diplomatik nga eksponatet e këtij pushtetit. Dhe kur kjo pengesë u bë e pa tejkalueshme, tashmë Kurti nuk i mbeti tjetër, pos t’i akuzojë vendet aleate se janë bërë pengesë për këtë pranim, dhe se në këtë mënyrë ato tashmë i kanë braktisur idealet demokratike”.

Tani sipas Kasollit, shihet qartë se i pari i Qeverisë së Kosovës, ka vendosur që ta shndërrojë edhe këtë temë në agjendë të brendshme elektorale, duke ekspozuar vetën lider që nuk bënë kompromise me demokracinë, se nuk pranon shantazhe dhe se nuk është fajtor që diplomatet e këtyre shteteve e kanë braktisur demokracinë.

“Prandaj, si një vetmitar do të shndërrohet në mbrojtësin heroik të saj si në Kosovë ashtu edhe ne Evropë. E tërë kjo dramë, nuk paraqet asgjë tjetër, pos një transformim të politikës së jashtme të shtetit në një lojë të brendshme elektorale për përfitime momentale”.

Në anën tjetër, diplomati dhe themeluesi i ambasadës së Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, thotë se me dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese, Kurti do të humbiste kartën kryesore për fushatën e parakohshme, ndërsa pas mandatit të plotë në zgjedhjet e rregullta nuk do të mund t’i përdorte temat sociale me të cilat ka pësuar debakël gjatë qeverisjes Kurti 2.

Albert Prenkaj

“Procedimi në q everi e më pastaj në Gjykatën Kushtetuese, do të nënkuptonte qeverisje në mandat të plotë, sepse kjo temë do të shterej. Mos dërgimi i draftstatutit jep indikacione për zgjedhje të parakohshme diku në qershor apo në vjeshtë”, potencon Prenkaj për AP.

Tutje, ai ka potencuar se dokumenti i Asociacionit për komunitetin serb në Kosovë është pranuar nga të dy palët në Bruksel, gjegjësisht në Ohër në vitin 2023 dhe si i tillë ai tejkalon autonominë e decentralizuar të dokumentit të Marti Ahtisaarit që është pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës.

“Në rritjen e intensitetit të konflikteve dhe garën për rendin e ri botërorë, çështja e akomodimit të komunitetit serb në Kosovë është bërë “halë në sy” për komunitetin ndërkombëtarë (SHBA dhe BE). Mos përfundimi i kësaj marrëveshjeje nënkupton lëreje hapur të kësaj teme e që në një të ardhme tjetër mund të jetë ‘mollë sherri’, apo kartë për kusuritje në një konstelacion të ri”.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, derisa u distancua nga përgjegjësia në rast se vendi dështon t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, deklaroi se “nuk ka faj” për “mungesën e përkrahjes” nga “shtetet demokratike” që kërkuan “sinjale të qarta” para se ata të bien dakord për pranimin e Kosovës.

“Përgjigja në pyetjen se çka do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës nuk duhet të kërkohet në Prishtinë. Ne nuk kemi përgjegjësi e as faj sepse kemi plotësuar gjithçka”, shtoi kreu i ekzekutivit, derisa komentoi kërkesën e partnerëve të QUINT-it që draftstatuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të procedohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kurti thotë se “s’ka faj” nëse dështon Kosova

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore