Lajme

Kurti e njofton ministrin çek për zhvillimet e fundit në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën është takuar me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, i cili është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, është thënë se Kurti e ka njoftuar atë për zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Progresin demokratik të evidentuar edhe sipas raporteve ndërkombëtare, rritjen e shënuar në indikatorët ekonomikë, arritjet dhe politikat kryesore të qeverisë, dhe e fushat me prioritet të këtij vitit e të cilat reflektohen edhe në ndarjet buxhetore për 2024”.

Ndërsa kreu i ekzekutivit të Kosovës, ka shprehur mirënjohje ndaj tij për mbështetjen e dhënë nga shteti i Çekisë.

“Përfshirë këtu kontributin e Çekisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë përmes misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX), përkrahjen përmes votës në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tash së fundmi rolin e saj në procesin e suksesshëm të liberalizimit të vizave”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Çekisë, konfirmoi edhe një herë mbështetjen ndaj Kosovës si dhe integrimin e saj euro-atlantik.

“Së bashku diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shtete, me theks tek mundësitë e avancimit të tyre”.

Dvorak, gjatë ditës është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore