Lajme

Ministri çek e turpëron publikisht zëvendës-kryeministrin Bislimi në konferencë


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministri për Çështje Evropiane i Republikës Çeke, Martin Dvorak.

Vetëm pak sekonda pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në konferencë të përbashkët për media me Martin Dvorak, ministër për Çështje Evropiane i Republikës Çeke, tha se Kosova kërkon që Bashkimi Evropian ta ndajë rrugën e integrimit nga çështja e dialogut me Serbinë, ministri çek i ka thënë se kjo është krejtësisht e pamundur.

Duke folur në konferencë, Bislimi tha se përkundër falënderimeve të mëdha që ka për Republikën e Çekisë dhe miqësinë e madhe në mes të dy shteteve, Kosova kërkon që jo vetëm të hiqen masat e BE-së, por “më e rëndësishmja, dialogut duhet të ndahet nga procesi integrues i Kosovës”.

Duke folur në anglisht, përkundër se konferenca mbahej në Qeverinë e Kosovës në Prishtinë, Bislimi shtoi se  “masat kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë” dhe se e ka diskutuar edhe me diplomatin çek këtë çështje.

Me ta marrë fjalën Dvorak, me një fjalim fare të shkurtër, ai as nuk përmendni mundësinë e heqjeve të masave, derisa i tha Bislimit se ndarja e rrugës drejt integrimit me dialogun me Serbinë është krejtësisht e pamundur dhe kjo është çështje që e dinë të gjithë.

“Do të doja të them se integrimi i Kosovës në BE është fuqishëm i lidhur me dialogun me Serbinë”, deklaroi Dvorak duke ia bërë të qartë Bislimit që kërkesa e tij për shkëputje të këtyre dy proceseve s’ka mundësi të ndodhë.

Madje, Dvorak i ka treguar Bislimit (atë që është dashur ta dijë) se raportet ndër-fqinjësore mes dy vendeve që synojnë anëtarësimin në BE janë çështje kruciale jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për secilin shtet tjetër.

“ Çështja e fqinjësi së mirë dhe integrimit është çështje që aplikohet për të gjitha shtetet e Ballkanit”, shtoi Dvorak.

Diplomati çek u pyet edhe nga gazetarët për çështjen e sanksioneve dhe se a do të mund të ndihmojë çekia në largimin e tyre.

Dvorak përsëriti se shteti i tij ka një qasje jashtëzakonisht miqësore në raport me Kosovën, por përkundër kësaj “s’mund t’iu lejojmë të tejkaloni disa gjëra”.

“Çekia është aleati më i afërt i Kosovës dhe ne duam ta shohim Kosovën në BE. Në anën tjetër ka shumë për të bërë, ne jemi gati të mbështesim dhe ndihmojmë me detyrat e shtëpisë. Kosova është në presion për t’u treguar pozitive dhe konstruktive në dialog me Serbinë. Kjo është mënyra më e mirë si të jesh më afër BE-së, të tregosh qasje pozitive dhe konstruktive, përkundër se e dimë sa e komplikuar është kjo situatë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore