Kosova

Kryeministri Kurti prezanton programin qeverisës: Kemi bërë shumë punë për 55 ditë


“Për 55 ditë qeverisje janë bërë shumë punë dhe prioritet ka qenë menaxhimi i pandemisë”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga ai.

Në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ai shpalosi e plan-programit qeverisës katërvjeçar, të cilin po e prezanton para ligjvënësve, afër dy muaj pasi mori pushtetin.

“Siç e kemi thënë edhe në program, prioritet është menaxhimi i pandemisë, ne kemi hartuar një plan që synonte të ndalte trendin e rritjes së infektimeve dhe vdekjeve e më pas eliminimin e vdekjes si pasojë e COVID-19”.

Plani i hartuar nga Qeveria para 41 ditësh, për menaxhimin e pandemisë sipas kryeministrit ka rezultuar shumë i suksesshëm.

“Me të ardhur në Qeveri i hartuam një plan që e ndali trendin e rritjes së rasteve që trashëguam. Pas 41 ditësh të hyrjes në fuqi, mund të raportojë se këto masa ishin efektive dhe të suksesshme dhe falë këtyre sot kemi një situatë krejtësisht tjetër”, ka deklaruar ai.

Numri i rasteve sa i përket infektimit nga pandemia, si rezultat i masave të ndërmarra ka thënë se pësuar një zbritje të madhe ndërsa sa i përket vaksinave, ka  deklaruar se janë duke që të sigurojnë sa më shumë sosh.

“Një ulje prej 87.4% të numrit të rasteve, do të thotë që qeverisja e mirë funksionon. Me marrjen dhe zbatimin e masave të reja, kemi punuar pa u ndalur që të sigurojmë sa më shumë vaksina”.

Ai ka akuzuar edhe qeverinë paraprake  për mos sigurimin e asnjë vaksine.

“Kur ne erdhëm në detyrë, nuk gjetëm as vaksinë dhe asnjë kontratë për sigurimin e tyre. Kemi siguruar 74 mijë e 100 vaksina dhe do të kemi edhe mbi 144 mijë të reja deri në fund të këtij muaj, me këto dhe pritje të reja që kemi për muajin qershor jemi në rrugë të mirë për vaksinim”.

Masat e ndërmarra për lehtësim nga ana e Qeverisë ka thënë se janë edhe si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët.

“Kjo situatë e lehtësuar nuk është rezultat vetëm i qeverisë por edhe i bashkëpunimit të bizneseve edhe qytetarëve. Të jeni të sigurt që Qeveria është në krye të detyrës për të siguruar vaksina dhe po e trajton me seriozitet pa e neglizhuar dhe injoruar siç është bërë më përpara”, ka deklaruar Kurti.

Më 7 maj Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar programin qeverisës 2021-2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore