Lajme

Kryeministri Kurti nga Prekazi: Rënia heroike e familjes Jashari zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare


“Tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, e që rënia heroike e tyre ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare, e cila më 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër Serbisë”, u shpreh para mediave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 22 vjetorin e fillimit të bombardimeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Po ashtu, edhe deputetja nga Lista Guxo, Vjosa Osmani, ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, ditën kur forcat e NATO-s, vazhduan me bombardimet ndaj Serbisë.

“Kjo ditë shënoi rikthimin e shpresës për të gjithë ne. Në këtë ditë, 22 vite më parë, në ora 20:00 bombat e NATO-s u drejtuan mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe duke shënuar kështu shpresën për liri”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj kjo datë është rikujtim historik për vuajtjet, vrasjet, të pagjeturit, dhunimet e dëmet që shkaktoi regjimi serb.

“Është rikujtim për breza të tërë që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot e për luftën e drejtë çlirimtare të popullit tonë. Në këtë datë, vlera e lirisë dhe e demokracisë kanë marrë një dimension të ri për ne por edhe për gjithë botën demokratike, e këto vlera mbeten përkushtim i yni i përhershëm.

Tutje ajo ka theksuar mirënjohjen e për të gjithë burrat e gratë të forcave paqeruajtëse të NATO-s, që “pa kontributin e tyre liria nuk do të ishte e pamundur.

“Sot e përherë, i jemi mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë”, ka shkruar Osmani.

Bombardimet e NATO-s kishin nisur më 24 mars 1999 dhe zgjatën për 78 ditë, deri më 10 qershor të atij viti. NATO-ja kishte nisur intervenimin për të ndalur luftën në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore