Shqipëria

Shqipëria ‘ndez motorët’ për sezonin turistik


Për Shqipërinë, sezoni turistik i këtij viti paraqet një moment kyç.

Jo vetëm që synon të konsolidojë suksesin e shënuar vitin e kaluar, por edhe të avancojë turizmin në një nivel të ri. Pritshmëritë janë të larta, me qeverinë që parashikon një rritje prej 30-40% të numrit të turistëve krahasuar me vitin historik 2023.

Në përgjigje të kësaj pritshmërie, janë marrë masa të rëndësishme për të koordinuar punën ndërmjet ministrive, duke synuar një mbarëvajtje të operacioneve dhe një përvojë sa më të këndshme për vizitorët.

Këto përpjekje tregojnë një angazhim të fortë qeveritar për të mbështetur dhe nxitur rritjen e mëtejshme të sektorit turistik, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë vendase.

Zhvillimi i infrastrukturës rrugore sipas standardeve dhe parametrave më të mirë, është një mbështetje e rëndësishme në nxitjen e turizmit dhe ekonomisë së vendit.

Kështu u shpreh, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e pranishme në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurt”, bashkë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministrin e Brendshëm Taulant Balla, tha se, “tashmë në vendin tonë kemi përfunduar një pjesë të mirë të investimeve në akset rrugore kombëtare nga veriu në jug të vendit sipas standardeve më të mira”.

Balluku njoftoi nisjen nga sot të fushatës së sensibilizimit për sigurinë rrugore.

“Do të kemi për herë të parë në Shqipëri një autostradë Thumanë-Kashar me 130 km/orë që do të kërkojnë kujdes të shtuar nga ana e policisë, teksa shtoi se projektet në infrastrukturën rrugore i përgjigjen më së mirë fluksit të shtuar të turistëve”, theksoi Balluku.

Sipas saj, nevoja për e-transport ka lindur si një kërkesë për qytetarët e huaj, pasi ata që vijnë për të parë Shqipërinë nuk ndalen vetëm te një destinacion. Për këtë arsye Ministria e Infrastrukturës ka krijuar të gjitha kushtet dhe e-transport është një modul shumë i rëndësishëm.

“Nga ana tjetër është dhe Korridori Blu, një linjë që lidh Shqipërinë me pjesën tjetër të Evropës. Nga data, 30 qershor, aksi Thumanë-Kashar do të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët”, u shpreh Balluku.

“Nga ana tjetër, të gjitha automjetet e tonazhit të rëndë dhe kalojnë tonazhin e përcaktuar do të penalizohen. Duhet thënë gjithashtu se tuneli i Llogorasë do të hapë një portë të re për vetëm shtatë minuta. Diçka tjetër shumë e rëndësishme që u përmend nga të dy kolegët është sensiviteti, që duhet të kenë vetë qytetarët”, vijoi ajo.

“Nëse drejtuesi i automjeti është duke shkruar në telefon ndërkohë që është në timon, policia e ka të pamundur të ndihmojë. Kemi pasur rastin e një personi verën e kaluar që mori më qafë një familje të tërë. Shkeljet e kodit rrugor janë të përgjithshme, nuk janë vetëm nga moshat e reja, por dhe nga drejtues me përvojë. Kështu që përgjegjësia është personale ndaj çdo drejtuesi dhe ne do të monitorojmë kodin rrugor, i ngjashëm me Bashkimin Evropian”, theksoi Balluku.

“Ne e kemi bërë një provë zjarri vitin e kaluar bashkë me kolegët dhe ndaj këtë vit do të jemi dhe më të kujdesshëm. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptimin tuaj se do të ketë taskforca kudo”, vuri në dukje ajo.

“Qendra e monitorimit të trafikut do të jetë qendra ku trupat e trafikut rrugor do të jenë të gjitha së bashku. Kemi marrë përsipër që këtë vit të jetë dhe një radio në kohë reale që t’ju informojë për të shmangur për trafikun se ku ndodheni. Nga ana tjetër, po ju jap një shembull, do të keni në hyrje të Rrogozhinës një tabelë që tregon për trafikun se të gjithë zgjedhin rrugën e Elbasanit, ndërkohë që shpesh rruga që kalon nga Kavaja dhe Durrësi nuk zgjidhet nga qytetarët. Prandaj, përmes këtyre tabelave do të zgjidhen problemet me trafikun”, theksoi Balluku.

Ndërsa, ministri i Brendshëm tha se mbi 1600 punonjës policie do të angazhohen me shërbim në zonat turistike e plazhe, ku një pjesë e madhe janë nga Policia Rrugore.

Ndërkohë në funksion të monitorimit të akseve rrugore, do të përdoren pajisje të teknologjisë së lartë si kamera, radarë e drone.

“Do të përdorim dronët edhe për monitorimin e trafikut në pikat e nxehta, për të pasur një informacion të detajuar gjatë 24 orëve të ditës, për të gjitha dhe për të njoftuar publikun  në rastet e nevojës për të shmangur pika të caktuara të nxehta me një trafik të shtuar”

Ministri Taulant Balla tha se janë gati për të filluar nga puna 6 stacionet shtesë të Policisë së Shtetit në zonat me fluks të shtuar turistik, Thesh, Valbonë, Tale, Gjirin e Lalzit, Palasë dhe në Ksamil. Edhe në kalatën e Komanit, një shërbim policie 24 orë për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë në lidhje me veprimtarinë e mjeteve lundruese në liqenin e Komanit.

Ka filluar zbatimi i protokollit dypalësh për lehtësimin e procedurave të hyrje-daljeve në pikën e përbashkët të kalimit kufitar, Morin, Kukës.

“Besoj deri javën tjetër, bashkë me Ministrin Sveçla, do të njoftojmë edhe lehtësimin e kalimit edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar me Kosovën, për të mundësuar, le të themi, kalim të lirshëm të kufirit për të gjithë turistët, qofshin qytetarë të Kosovës apo të Shqipërisë që duan të shkojnë në Kosovë” shtoi më tej Balla.

“Bumi në turizëm, mundësi për t’u shfrytëzuar në të gjitha dimensionet”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore