Lajme

Pas ShBA-ve, Republikës Srpska i reagon edhe BE: S‘tolerojmë sjellje që rrezikojnë sovranitetin e BeH-së


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Petar Stano, ka thënë se Unioni nuk toleron sjellje që rrezikojnë sovranitetit dhe tërësinë territoriale të Bosnje e Hercegovinës.

Këto komente, Stano i ka bërë një ditë pasi që Qeveria e Republika Srpska-s – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – propozoi ndarje nga BeH-ja.

“Për fat të keq, nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të tilla. BE-ja është e qartë dhe kjo është përsëritur disa herë. BE-ja dhe të gjitha vendet anëtare e mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës“, ka dekalruar Stano, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Ai e përsëriti se sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Bosnje e Hercegovinës duhet të ruhet, duke paralajmëruar “pasoja serioze“ për shkelësit e saj.

Për këtë propozim të Republikës Srpska gjatë ditës ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë.

Propozimi për t’u ndarë nga BeH, sipas ShBA-ve, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Srpska”.

Nga përfaqësuesit e ShBA-ve në Bosnje e Hercegovinë kanë potencuar se një veprim i tillë është në shpërputhje me Marrëveshjen e Dejtonit (Marrëveshja qe i fund luftës në BeH, më 1995), dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.

“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Aty u akuzuan Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, dhe qeverinë e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Srpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.

“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodik nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Ambasada e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.

“Kushtetua e BeH nuk u jap të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo “shkëputje”. RS-ja mund të ekzistojnë vetëm brenda BeH.”

Veprimet e Dodik-ut, në vlerësimin e ambasadës amerikane, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë RS-së, e duan.

ShBA: Ndarja nënkupton fund për Republikën Srpska

Çka ndodhi?

Kryeministri i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Radovan Vishkoviç, ka njoftuar se në 30 ditët e ardhshme, qeveria që ai drejton do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të BeH-së, Federatës së Bosnje e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Srpska të enjten, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku pritej që të votohej – dhe u miratua – rezoluta që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

“Kjo nuk është shkëputje, ndarje paqësore nuk është shkëputje, e drejta e garantuar me Kushtetutë është ndarja paqësore. Ne do të ofrojmë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviç, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Në këtë mbledhje të qeverisë prezent ka qenë edhe Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik.

Republika Srpska propozon marrëveshje për “ndarje paqësore” të Bosnje e Hercegovinës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore