Lajme

Brnabiç: S’do të jetë e lehtë të bashkëpunoj me shtetet që votuan pro rezolutës për Srebrenicën


Ana Brnabiç

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka potencuar se do të ketë shumë të vështirë që të bashkëpunoj me ato shtetet që të enjten votuan në favor të rezolutës që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime.

Pro rezolutës votuan pothuajse të gjitha vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë.

“Unë do të ndihem shumë më afër vendeve që votuan kundër ose abstenuan, ose u larguan nga dhoma. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë, Bashkimi Evropian është në interesin tonë, por unë do të jem gjithmonë me vendet që ishin me ne”, ka thënë ajo në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.

Ajo ka falënderuar Hungarinë për mbështetjen dhe votimin kundër, si dhe Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë për abstenimin, duke potencuar veçanërisht shembullin e Monakos, përfaqësuesit e të cilit u larguan nga salla kur u nisi votimi.

Ndryshe një ditë më parë Brnabiç u shpreh e shqetësuar për paqen në Ballkan.

Ish-kryeministrja e Serbisë ndërsa e kishte cilësuar rezolutën për Srebrenicën si “farsë”, kishte potencuar se duhet një incident për t’i vënë flakën gjithçkaje.

Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët më 11 korrik 1995, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Prej vendeve të BE-së, kundër votoi vetëm Hungaria, ndërsa abstenuan Greqia, Sllovakia dhe Qipro. Aleatët e Serbisë – Kina, Rusia, Bjellorusia e Kuba – ishin në mesin e shteteve që votuan kundër.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë miratohet nga Asambleja e OKB-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore