Lajme

Krasniqi, Kurtit: Pranoje fajin, mos e fajëso tërë shoqërinë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, reagimin e dytë të kryeministrit Albin Kurti, për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e ka quajtur skandal.

Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kryeministri fajësoi të gjithë shoqërinë me ketë shkrim.

“Prej skandalit në skandal! Pas një reagimi jodinjitoz e fyes mbrëmë, Kryeministri sot paska fajësuar tërë shoqërinë për rritjen e dhunës në familje. Po thotë se kemi pak policë e shumë familje. E para, 18 prej atyre policëve, Kryeministër, i mban vetëm ti personalisht për mbrojtjen tënde (nuk e di se prej kujt po mbrohesh?)”, tha Krasniqi.

“E dyta, me këtë lloj qeverisje dhe me këtë trend të ikjes së të rinjve gjatë mandatit tënd, shumë shpejtë do të kemi përgjysmë më pak familje e përgjysmë më pak policë”.

Ai kryeministrit i ka kujtuar edhe faktin se Kosova vazhdon të jetë pa ministër të Shëndetësisë tash e mbi 100 ditë.

“E treta, sot janë bërë 101 ditë pa Ministër të Shëndetësisë. Një zonjë, që priste të bëhej nënë për herë të parë, nuk arriti ta mbajë asnjë sekond në duar foshnjën e saj sepse u vra mizorisht, bashkë me foshnjen, në një institucion publik, i thirrur për të shpëtuar jetë”.

Krasniqi e ka pyetur Kurtin edhe për veprimet që janë duke ndërmarrë ndaj rastit të fundit.

“E katërta, ku është reagimi shtetëror? Ku është dorasi? Kush do të merret me të, edhe nëse arrini që ta kapni? Sistemin gjyqësor e ke në grevë, për shkak të inateve dhe tekeve tua krejt personale”.

Ndërsa, kërkoi nga ai që ta pranoj fajin.

“E pesta, hapi i parë për të rregulluar diçka është ta pranoni fajin. Ju vazhdoni të shfajësoheni, duke bërë të gjithë fajtorë, opozitën, shoqërinë, mësuesit, policinë, gjykatësit, mjekët, por asnjëherë, ama asnjëherë, veten dhe ministrat e tu”.

Sipas Krasniqit, edhe pas kësaj ngjarje askush nga Qeveria Kurti nuk do të jap dorëheqje.

“Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme – unë nuk pres dorëheqje as llogaridhënie nga askush në Qeverinë tënde. Për të dhënë dorëheqje, duhet të kesh integritet, moral dhe etikë, të jesh i përgjegjshëm e profesional. Ju nuk keni këso profile në kabinetin tuaj. Keq, shumë keq!”.

Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për rastin e të mërkurës që ka ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e ka akuzuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pasi sipas tij edhe ai ka qenë bashkëpjesëmarrës në krim.

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Për vrasjen e grave nuk ka faj shteti që nuk vepron, por shoqëria që hesht, thotë kryeministri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore