Kosova

Për vrasjen e grave nuk ka faj shteti që nuk vepron, por shoqëria që hesht, thotë kryeministri


Ilustrim

“Dy shqiptarë më pak, do jenë duke menduar armiqtë tanë”, nga kjo fjali e cilësuar si e pavend i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas vrasjes së një gruaje shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kryqeveritari kësaj here, në vend se të kërkojë përgjegjësi institucionale për rastin shokues i cili ngjau të ndodhë gjersa viktima ishte nën urdhër mbrojte të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ka kritikuar në tërësi shoqërinë kosovare.

Sipas tij problemi qëndron në atë se shoqëria kosovare amniston dhunuesin.

“Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Facebook.

Zgjimi shoqëror, sipas Kurtit pas vrasjes së një gruaje, edhe është i vonuar edhe po zgjat shkurt.

“Një a dy protesta të nesërmen, dhe mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës”, ka shtuar ai.

Prandaj Kurti mendon se shoqëria kosovare duhet të heqë dorë nga qasja patriarkale e të ngre zërin kundër burrave që shkaktojnë dhunë në familje.

“Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal ‘nderi burrëror – gruaja shërbëtore’. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vjen nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrijnë zërin kundër burrave që ngrijnë dorë mbi gruan”.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Në anën tjetër i dyshuari S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, vazhdojnë të jetë në arrati.

Kështu thuhej në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Teksa rasti vazhdon të jetë në hetime nga njësitet kompetente policore.

Gjykata Themelore e Ferizajt, ka bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje.

Në njoftim thuhej se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 8 shtator 2022.

Pas rastit në fjalë të enjten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pasur një mbledhje me dyer të mbyllura me grupin e ngushtë ndërministror.

Me të përfunduar diskutimi në fjalë, Haxhiu në një konferencë për media, rastin në fjalë e ka cilësuar si papërgjegjësi institucionale, pasi prokurori kishte marrë vendim për lirimin e dorasit në këtë rast.

Vrasja e shtatzënës në QKUK – Ministrja e Drejtësisë ankohet për Sistemin e Drejtësisë

I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë akoma në arrati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore