Lajme

Policia asgjëson një laborator të drogës në Leposaviq


Laboratori i drogës në Leposaviq

Policia e Kosovës, të martën ka njoftuar se ka asgjësuar një laborator të drogës në Komunën e Leposaviqit.

Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se në fshatin Miokovicë të Leposaviqit ka kryer bastisje në një shtëpi banimi dhe objektet përcjellëse, ku në këtë të fundit ka hasur në një laborator të improvizuar për kultivimin e bimëve të kanabisit.

“Operacioni policor ka rezultuar me gjetjen e gjithsej 409 bimëve të dyshuara të kanabisit me gjatësi prej 5 deri në 15 centimetër, një pushkë gjuetie me gjithsej 43 fishek të gjuetisë, si dhe pajisje tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poqa, ventilim, termostate, nxehëse, etj.), si dhe një jakne e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në lidhje me rastin, sipas Policisë së Kosovës, është njoftuar prokurori nga departamenti i krimeve të rënda dhe me udhëzim të tij nga bimët janë marrë për t’u dërguar në laborator, kurse pjesa tjetër me urdhër të prokurorit është shkatërruar.

“I dyshuari me inicialet (M.I.) me aktvendim të prokurorit kujdestar ndalohet për 48 orë, kurse i dyshuari tjetër me iniciale (S.S) është në kërkim të Policisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore