Kosova

Haradinaj: Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për rastin e të mërkurës që ka ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e ka akuzuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pasi sipas tij edhe ai ka qenë bashkëpjesëmarrës në krim.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka thënë se është dashur të ndodh një vepër e rëndë që të vërtetohet krimi.

“Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim! Është dashur të ndodhë një krim makabër mbi një nënë dhe fëmijën e saj të palindur, që një popull i tërë të tmerrohet se deri ku ka shkuar krimi në këtë vend. E ndjera e kishte kërkuar ndihmën e shtetit, i cili fatkeqësisht  së bashku me secilin prej nesh po vritet përditë e nga pak, por ai nuk e kishte mbrojtur”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se paralajmërime të tilla për kryeministrin ai kishte bërë edhe në të kaluarën.

“Kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur “mashtrues” dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pasë dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës”.

Sipas Haradinaj, burimi i së keqes e i krimit e ka një shkak, e ka një burim dhe e ka një kokë.

“Një kryeministër që e defunksionalizon sistemin e drejtësisë në shtet duke i përgjysmuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, që i poshtëron policët, i lë të leckosur e me paga mizerje, që i detyron mjekët ta braktisin punën e vendin sepse nuk mund të jetojnë nga puna e tyre”.

“Që e rrezikon funksionalitetin e sistemit shkollor duke i shtyer mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj, që vendin e shndërron në gogol të komunitetit ndërkombëtar.

Hardinaj për Kurtin tha “se me ose pa vetëdije është shndërruar në bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë”.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Ahmeti ka sqaruar se mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa kishte shtuar se policia është në vendin e ngjarjes dhe hetimet kanë nisur.

“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Edhe, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares e cila u vra mbrëmë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nuk dihen zyrtarisht akoma motivet e vrasjes, por siç ka kuptuar Albanian Post nga burime brenda QKUK-së, vrasja ka ndodhur pas përfundimit të kontrollës së viktimës nga mjekët.

Rrjeti i Grave të Kosovës do të dalë në rrugë në shenjë revolte “për vrasjet brutale të grave nga duart e burrave”.

Protesta do të fillojë prej orës 16:00, të enjten në qendër të Prishtinës, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti nën moton: “VRASJA E GRAVE NGA BURRAT TË TRAJTOHET SI URGJENCË KOMBËTARE!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore