Lajme

Gjykata në Ferizaj: Shtatzëna e vrarë kishte urdhër-mbrojtjeje për gjashtë muaj, i dyshuari kishte aktakuzë për kanosje


Gjykata Themelore e Ferizajit.

Gjykata Themelore e Ferizajt, ka konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares e cila u vra mbrëmë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në njoftim thuhet se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 8 shtator 2022.

“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”, thuhet në komunikatën për media.

I dyshuari për vrasjen e gruas se tij S.H akuzohej edhe për veprën penale kanosje, ndaj të dëmtuarës H.M.

“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata në afatin prej 30 ditëve konform nenit 245, 249 dhe 250 të KPP-së, i ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”.

“Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”, sqarohet nga Gjykata.

Foto nga vendi i ngjarjes.

I njëjti akuzohej edhe për veprën penale mbajtja në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”.

I dyshuar S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdojnë të jetë në arrati.

Kështu thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nga ky institucion është thënë se kanë kërkuar në disa lokacione, por deri tani nuk kanë hasur në të dyshuarin.

Teksa rasti vazhdon të jetë në hetime nga njësitet kompetente policore.

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Rrjeti i Grave të Kosovës do të dalë në rrugë në shenjë revolte “për vrasjet brutale të grave nga duart e burrave”.

Protesta do të fillojë prej orës 16:00, të enjten në qendër të Prishtinës, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti nën moton: “VRASJA E GRAVE NGA BURRAT TË TRAJTOHET SI URGJENCË KOMBËTARE!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore