Lajme

KQZ, Prokuroria e Policia: Gjithçka gati për zgjedhjet e së dielës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Institutin Demokraci për Zhvillim

Shefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se bazuar në proceset e kaluara zgjedhore, institucioni që ai drejton janë gati që këtë të diele qytetarët t’iu drejtohen kutive të votimit.

“Në ditën e zgjedhjeve do të jemi në koordinim dhe do të reagojmë në çdo situatë që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, ka thënë Radoniqi në një konferencë për media ku prezent ishin edhe nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës.

Sipas tij ruajtja e integritetit të procesit zgjedhor dhe besueshmëria e qytetareve në procesin zgjedhor janë synimet të përbashkëta.

“Ne besojmë shumë që veprimet që i kemi marrë si institucion kanë qëllime të qarta që i shërbejnë mbarëvajtjes së zgjedhjeve”.

Ndërsa ka shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është treguar i kujdesshëm për procesin zgjedhor për të mos angazhuar si anëtarë të këshillave të vendvotimeve persona ndaj të cilëve është duke u zhvilluar ndonjë rast nga institucionet e drejtësisë.

Ai në fund i ka ftuar në emër të KQZ-së të gjitha partitë politike, kandidatët dhe çdo këndë tjetër që ka rol në çfarëdo forme në procesin zgjedhor që të përmbahen ligjit dhe rregullave zgjedhore.

Ndërsa Laura Pula, nga Prokuroria e Shtetin ka treguar se janë angazhuar 80 prokurorë kujdestar së bashku me stafin mbështetës të cilët do të kooperojnë në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale së bashku me hetuesit e Policisë së Kosovës në të gjitha 38 Komuna të Kosovës.

Ajo ka shtuar se Prokuroria e Shtetit në në këtë proces që nga viti 2013 e ka vetëm një moto “Mbrojtja e votës së qytetarit”.

Kurse nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Samehdin Mehmeti, ka treguar se do të përdorën të gjitha mjetet në dispozicion që të sigurohet ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, para gjatë dhe pas votimeve.

“Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët gjatë tërë procesit zgjedhor, mbajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe sigurimi i sigurisë në vend para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, qendrës së numrit dhe rezultateve”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka treguar se në ditën e zgjedhjeve numri i zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë operacion është 883 në qendrat e votimit, ku do të ketë mbulim 24 orë.

“1 mijë e 766 zyrtarë policorë, ku në 38 depo komunale, do të jenë 152 zyrtarë policorë, nga 194 ekipe mobile do jenë 194 zyrtarë policor, njësit reaguese do të mbulohen nga 800 zyrtarë policorë, ndërsa do të jenë të asistuar nga 240 pjesëtarë të njësisë speciale dhe 200 pjesëtarë të njësive të reagimit të shpejtë”.

“Transporti do të bëhet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës të materialit senzitiv nga qendrat e votimit dhe më pas në qendrën e numërimit”, tha Mehmeti.

Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka treguar në detaje se për ditën e zgjedhjeve në nivel vendi ka angazhuar 35 gjyqtarë kujdestarë.

“Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë caktuar shtatë gjyqtarë kujdestar, nga Departamenti Special është një gjyqtarë, Departamenti i Krimeve të Rënda është një gjyqtarë si dhe pesë gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm që mbulojnë gjithë territorin e Prishtinës”.

“Në Gjykatën Themelore të Gjakovës janë caktuar katër gjyqtarë kujdestar, në Gjykatën Themelore të Ferizaj, janë caktuar katër gjyqtar kujdestar, në Gjykatën e Pejës, janë caktuar pesë gjyqtarë kujdestar, në Gjykatën e Prizrenit janë caktuar katër gjyqtar kujdestar, në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë caktuar pesë gjyqtarë kujdestar, dhe në Gjykatën e Themelore të Mitrovicës, janë caktuar gjashtë gjyqtarë kujdestar”, tha Dërmaku.

Shukri Sylejmani nga Paneli Zgjedhor per Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka thënë se të gjitha ankesat janë trajtuar me profesionalizëm, dhe është zotuar “se do të shqyrtojë brenda afatit ligjor të gjitha ankesat për ditën e heshtjes zgjedhore dhe atë të zgjedhjeve”.

Ndërsa Xhevat Latifi, nga Komision i Pavarur i Mediave ka treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet mbikëqyrjen e mediave me datën 16 dhe 17 tetor.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D), kanë organizuar konferencën e përbashkët të gjashtë institucioneve me temën: “Bashkëpunimi ndërinstitucional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore