Kosova

KQZ-ja nis procesin e verifikimit të nënshkrimeve të peticionit në veri


Ilustrim

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, njoftoi të hënën se ka nisur procesi i verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura nga serbët lokalë për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se ky proces “do të marrë kohë” për shkak se të dhënat që janë pranuar u mblodhën në formë fizike.

“KQZ-ja ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në katër komuna: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. KQZ-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime; pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, tha Elezi.

Peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri KQZ-ja i pranoi të enjten. Pas pranimit të nënshkrimeve dhe verifikimit të tyre, nga momenti i konstatimit që është përmbushur kriteri i nevojshëm prej 20 për qind, brenda 45 ditëve duhet të organizohet procesi zgjedhor, ku qytetarët serbë mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës respektive apo jo.

Para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve, punonjësit e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë morën një mesazh, ku u kërkohej t’i përgjigjen procesit. Në krye të këtyre institucioneve ilegale janë kryesisht njerëz nga Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve në Kosovë – që bojkotuan zgjedhjet e prillit të vitit 2023 dhe u larguan nga institucionet e Kosovës.

Një ndër kushtet e Bashkimit Evropian (BE) për largimin e masave ndaj Kosovës të vendosura në qershor 2023 për shkak të përshkallëzimit të situatës në veriun e vendit është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushtëzime.

Kriteri prej 20% u vlerësua “vështirë i arritshëm” nga pushteti, por nënshkrimet u mblodhën “brenda ditës” në veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore