Kosova

Kosovë: Sërish shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë


ASK

Regjistrimi i popullsisë së Kosovës shtyhet sërish.

Në vitin 2020 u shty për shkak të pandemisë COVID-19, ndërsa këtë vit sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) do të shtyhet sërish për shkak të Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësi i kryeshefit ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha për Ekonomia Online.

Berisha ka njoftuar se deri më tani dy nga katër fazat përgatitore për regjistrimin e popullsisë në vend janë përfunduar.

“Aktualisht dy fazat e para janë kryer, përveç ndonjë nën aktiviteti të fazës së dytë dhe kemi nën aktivitete të fazës së tretë që janë në proces të kryerjes”.

Regjistrimi i popullsisë vitin ardhshëm do të bëhet në formë elektronike. Pra, është hera e parë që në vend ndodh një regjistrim në këtë formë meqë deri më tani ishte forma klasike, me anë të formularëve të letrës.

“Ky regjistrim dallon nga regjistrimi paraprak sepse do të bëhet me pajisjet, do të thotë me tableta dhe jo me letër, dhe është dashtë të përgatitet aplikacion i posaçëm në këtë tableta”, ka thënë Berisha.

Mirëpo, aktivitetet parapërgatitore për regjistrimin e popullsisë sipas ASK-së kanë filluar që nga viti 2018.

“Aktivitetet përgatitore për projektin e regjistrimit të popullsisë që është planifikuar të mbahet në terren në vitin 2021, kanë filluar që nga viti 2018. Të gjitha janë kryer sipas planit të përgatitur nga ASK-ja”.

Berisha ka bërë të ditur se ekipet që do ta kryejnë regjistrimin e popullsisë janë siguruar si dhe pajisjet, madje atyre u është bërë edhe testimi në terren.

“Gjithashtu gjatë kësaj periudhe përgatitore ASK-ja ka kryer aktivitete tjera ku është bërë edhe rekrutimi i një pjese të ekipit për mbështetje të regjistrimit, furnizimi me pajisje për stafin e angazhuar për regjistrimin e popullsisë me kontratë dy vjeçare, vizualizimi dhe digjitalizim i hartave në pajisje të tabletave që është bërë në fillim të këtij viti, është bërë testi i parë në terren”.

Pandemia është sfida kryesore që mbetet akoma që ky procesi i regjistrimit të popullësisë të përfundoj me sukses.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore