Kosova

Hoxhaj: Spanja po e njeh Palestinën e jo Kosovën – hipokrizi diplomatike


Enver Hoxhaj

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez – një nga kritikët e ofensivës së Izraelit – paralajmëroi të mërkurën se qeveria spanjolle do ta njohë Palestinën si shtet më 28 maj, lidhur me këtë iniciativë të Madridit zyrtar ka reaguar ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Spanja po refuzon ta njoh shtetësinë e Kosovës ndërsa në anën tjetër po deklaron se do ta njoh Palestinën.

“Nuk i sjell asnjë nder Spanjës dhe shteteve të tjera evropiane të jenë në të njëjtën barkë me Rusinë për Kosovën. Hipokrizi diplomatike?”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Një ndër arsyet pse Spanja s’do të lëvizë drejt njohjes së Kosovës, përkundër sinjaleve pozitive të muajve të fundit, konsiderohet të jetë fakti se aktualisht, çështjes së shtetit të vogël ballkanik i mungon rëndësia në diskursin publik, ndryshe nga interesimi dhe mbështetja e lartë në mesin e qytetarëve spanjollë për çështjen e njohjes së Palestinës.

Alejandro Esteso Perez, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, deklaroi për Albanian Post se vendimi i kryeministrit Sanchez për të njohur një shtet palestinez, derisa vazhdon të refuzojë pavarësinë e Kosovës, bazohet në dy arsye kryesore: mbështetja e gjerë e spanjollëve për kauzën palestineze dhe besimi se ky hap mund të gjenerojë vota në zgjedhjet evropiane.

“Në radhë të parë, ekziston një mbështetje e gjerë në mesin e popullatës spanjolle për çështjen palestineze – afërsisht 80 për qind mbështesin një zgjidhje me dy shtete. Prandaj, vendimi perceptohet i duhur nga një pjesë e madhe e popullsisë dhe sukses politik për qeverinë spanjolle”, konsideroi pjesëtari i Grupit Këshillues të Politikave për Ballkanin në Evropë (BiEPAG).

“Ndërkaq, çështjes së Kosovës aktualisht i mungon rëndësia në diskursin publik për të ekzistuar pretendime të mëdha për njohje që qeveria të veprojë. Sánchez, dhe kryeministrat e mëparshëm, trajtuan çështjen e Kosovës në një mënyrë mjaft të sikletshme, thjesht duke injoruar ekzistencën e Kosovës – diçka që nuk ka ndodhur me Palestinën”, shtoi ai.

Një këndvështrim të ngjashëm e artikuloi edhe hulumtuesi në Qendrën për Ekonomi dhe Gjeopolitikë Globale (EsadeGeo) në Barcelonë, Juan García-Nieto, i cili, duke marrë parasysh hulumtimet e fundit, pohoi se spanjollët, posaçërisht votuesit e Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE) në pushtet, angazhohen më tepër në çështjen palestineze.

“Qeveria e Spanjës është e vetëdijshme për mbështetjen e lartë të shoqërisë spanjolle për shtetësinë palestineze. Rreth 78 për qind e spanjollëve mbështesin njohjen e menjëhershme të Palestinës nga vendet evropiane. Anasjelltas, publiku spanjoll është ndoshta më pak i angazhuar në çështjen e pavarësisë së Kosovës”, kujtoi Nieto.

Pse Spanja (s’)mund ta njohë Kosovën sikurse Palestinën?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore