Kosova

Protestë për “mbështetje të serbëve të Kosovës” afër pikë-kalimit kufitar të Jarinjës


Pamje nga protesta

Të shtunën ka nisur protesta në territorin e Serbisë, afër pikë kalimit kufitar të Jarinjës.

Një numër tejet i vogël i serbëve janë mbledhur në afërsi të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë për të shprehur “mbështetje komunitetit serb që jeton në Kosovë”.

“Ne po organizojmë një protestë paqësore në mënyrë që t’u japim serbëve të Kosovës forcë dhe mbështetje të sinqertë në këtë mënyrë duke zvogëluar mundësinë e eksodit përfundimtar, i cili gjithnjë e më shumë po bëhet realitet”, kanë deklaruar organizatorët para protestës.

Organizatorët e protestës, sipas mediumit serb me seli në Kosovë, Kossev, kanë përpiluar edhe 10 kërkesa ku njëra nga ato është që shteti i Serbisë “ta pushtojë Kosovën” dhe serbët e shpërngulur nga “lufta e fundit të kthehen në Kosovë”.

Protestuesit gjithashtu do të kërkojnë që Policia dhe Dogana e Kosovës të hiqen nga pikë kalimet kufitare.

Ndërkohë në territorin e Kosovës, gjegjësisht në pikë kalimin kufitare janë parë automjete të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it dhe misionit të Bashkimit Europian për zbatim të ligjit, EULEX-it.

Edhe Policia e Kosovës është e vendosur në pikë-kalimin kufitar, si zakonisht.

Ndërsa Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u kishte bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i shmangin pikë-kalimet me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore