Lajme

Kosovë: Qeveria miraton propozimin e kandidatëve për Bordin e AKP-së


Kabineti qeveritar i Kosovës

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka miratuar propozimin e kandidatëve të rinj për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.

Emrat e propozuar dhe miratuar nga Qeveria për anëtarë të këtij bordi janë Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së, duke shtuar se pas aprovimit të këtij propozimi, vendimi bashkë me biografinë e këtyre kandidatëve i procedohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

“Ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore në Kosovë, drejt Fondit sovran, Agjencisë së Bankës Zhvillimore dhe në këtë mënyrë tjetërsimet abuzive që janë bërë në kaluarën, duke përfshirë aty edhe vrasjen enigmatike, vdekjen enigmatike të ish kreut të AKP-së të jenë një periudhë që e tejkalon Kosova e pavarur, e që synon progres ekonomik për të gjithë”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se ky vendim “nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë”.

“Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore. Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes. Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, “nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik. Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therrur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e kandidatëve të rinj për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës më 23 mars të vitit 2020 kishte marrë vendim për pezullimin e pa afat të të gjitha veprimeve në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën administrim Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kurse më një korrik të po të njëjtit vit, Qeveria kishte anuluar vendimin paraprak, ndërsa kishte kërkuar që të mos shpallen valë të reja të privatizimit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore