Lajme

Kosovë: Pranon detyrën kryetarja e zgjedhur e Gjykatës Kushtetuese


Kryetarja e deritanishme, Arta Rama – Hajrizi dhe kryetarja e zgjedhur, Gresa Caka – Nimani

Me anë të një ceremonie zyrtare të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese, gjatë ditës u bë pranim-dorëzimi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndërmjet kryetares së deritanishme, Arta Rama – Hajrizi dhe kryetares së zgjedhur, Gresa Caka – Nimani.

Pas pranimit të detyrës, kryetarja Caka-Nimani theksoi rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës

Ndërsa, Gjyqtarja e deritashme Arta Rama – Hajrizi gjatë kësaj ceremonie foli për sfidat e përballuara dhe të arriturat e Gjykatës Kushtetuese gjatë dy mandateve në krye të këtij institucioni.

“Vetëm me përkushtimin dhe punën e përbashkët Gjykata arriti të kaloj me sukses të gjitha sfidat, duke filluar me tranzicionin nga përbërja e përzier ndërkombëtare në atë vendore, përmirësimin e dukshëm të kualitetit të vendimeve dhe arsyetimeve të shkruara, rritjen e integritetit dhe respektit të publikut ndaj Gjykatës”, tha Rama-Hajrizi.

Ajo potencoi se përmes vendimeve që janë marrë në gjykatë, janë vlerësuar si gjykata më e mirë në rajon.

“Kemi arritur të forcojmë bashkëpunimin me gjykatat e tjera, partneritetin me Komisionin e Venecias, bashkëpunimin me Këshillin e Evropës dhe së fundi edhe me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Gresa Caka-Nimani është dekretuar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2015.

Deri në emërimin e saj, gjyqtarja Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore