Lajme

Kosovë: BE me mision vëzhgues në zgjedhjet lokale


Selia e Komisionit Evropian në Bruksel

Bashkimi Evropian do të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Kjo vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paraqitur kërkesë për mision shtesë gjatë zgjedhjeve lokale në vend.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, emëroi deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë, Lukas Mandl, thuhet në njoftimin e BE-së.

Borrell thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, për të forcuar procesin zgjedhor dhe po ashtu në forcimin e qeverisjes demokratike.

“Për të tretën herë, ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes një misioni të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Besoj se prania e këtij misioni do të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe të ndihmojë reformat e nevojshme zgjedhore për të ardhmen”, është shprehur Borrell.

Mandl është shprehur se ndihet i nderuar për besimin që i është dhënë me emërimin, për zgjedhjet lokale të vendit.

“Jam i bindur se misioni do të sjellë një vlerë të shtuar në procesin zgjedhor. U gëzohem takimeve dhe angazhimit me autoritetet në terren, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe pjesëmarrësit tjerë në procesin zgjedhor”, tha Mandl.

Ndërsa, në njoftimin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, thuhet se dhjetë ekspertë zgjedhorë janë vendosur tashmë në qytetin e Prishtinës, dhe po ashtu deri në mes të shtatorit, do të arrijnë edhe 22 vëzhgues afatgjatë.

Po ashtu, misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës kur do të mbahen zgjedhjet, përfshirë edhe në rast të rundit të dytë, më 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore