Kosova

Kosovë: 30 ditë masë e paraburgimit për katër të dyshuar për fajde


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditore ndaj katër personave të dyshuar për fajde.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit. Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Argumentimi i fakteve ndaj të pandehurve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

N.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale; fajdeja, detyrimi dhe dhënia e ryshfetit, dhe në bashkëkryerje me të pandehurën A.K., veprën penale Mashtrimi;

I.F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar, dhe marrja e ryshfetit;

K.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar;

A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me të pandehurin N.K., ka kryer veprën penale: Mashtrimi

Sipas njoftimit thuhet se është vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e veprave penale të cilat janë në ngarkim të të pandehurve.

Tutje thuhet se “për shkak të dënimeve të larta që parashihen për këto vepra penale nëse të pandehurit shpallen fajtor, e këto rrethana shtojnë dyshimin se të pandehurit mund ti shmangen përgjegjësisë penale, me çka do të pamundësohej zhvillimi i rregullt i procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore