Lajme

Kosova ka ulur shkallën e varfërisë 35%, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një cicërime në Twitter ka njoftuar e ka marr “lavdërime të larta” nga Banka Botërore, meqë sipas tij, Kosova ka ulur shkallën e varfërisë.

“Lavdërime të larta për Kosovën nga Banka Botërorë këtë javë. Sipas këtij institucioni, krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për frymë për 50 për qind dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35 për qind, duke tejkaluar vendet e ngjashme me të ardhura të ngjashme për frymë, ka shkruar Kurti.

 

Ndërkaq sipas raportit, Kosova ka kaluar me sukses nga një model rritjeje i bazuar në varësinë e lartë nga flukset hyrëse të ndihmës së huaj, duke tejkaluar vendet homologe me të ardhura të ngjashme për frymë falë një zgjerimi të vazhdueshëm të konsumit dhe investimeve, me një shtysë të fortë nga flukset hyrëse të diasporës, investimet publike në infrastrukturë dhe thellimi financiar, në kushtet e një qëndrimi të qëndrueshëm fiskal dhe një mjedisi me inflacion të ulët.

“Megjithatë, pavarësisht një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta. Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin për gjeneratat e ardhshme”, thotë Xiaoqing Yu, Drejtor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu në raport thuhet se Strategjia e re e Grupit të Bankës Botërore mbështet aspiratën e Kosovës për të arritur këtë transformim dhe për t’u integruar plotësisht në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Ndërsa ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, teksa ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Integrim Evropian, ka theksuar se të gjithë ata që po largohen nga Kosova nuk kanë faj, sepse kushtet e punëtorëve nuk janë të mira sa duhet.

“Shumë mjekë që operojnë në Bashkimin Evropian nuk kanë lindur në shtetet e BE-së. Mendoj që mund të bëjmë më shumë që ata të mbetën në Kosovë, po them për aq kohë sa ka shumë shpallje që kërkohen punëtorë, kjo nënkupton se kushtet e punëtorëve duhet të jenë më të mirë që të mbesin ata në Kosovë”, deklaroi numri dy i qeverisë, duke mos treguar çfarë po bën qeveria që të përmirësohen këto kushte.

Përkundër largimeve, rreth 50 mijë në vit, Bislimi deklaron se është proces krejt normal.

“Në Kosovë nuk është duke ndodh asgjë ndryshe se çka po ndodh në Serbi, Kroaci, Shqipëri dhe Bullgari”, tha ai.

Përtej kësaj, Bislimi kritikoi opozitën që po e shesh me shqetësim largimin nga Kosova.

“Përpjekja për të përhapur panik është e dështuar dhe qëllimkeqe”, pohoi zëvendësi i Kurtit. “Po përhapni panik”.

“Tendenca për migrim, është diçka normale”.

Sa për ekonominë në Kosovë, Bislimi e vlerësoi si të mirë. “S’ka krizë në Kosovë, duhet të flasim me shifra”.

Shqetësimet e Agim Shahinit, kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, i cili u citua nga deputetët e opozitës në Kuvend se ekonomia kosovare mund të rrezikohet rëndë nga mungesa e fuqisë punëtore për shkak të largimeve masive, Bislimi tha se s’duhet të merren parasysh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore