Sport

Kosova është zyrtarisht kandidate për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030


Kosova është zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Në një konferencë për media, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin, lajmëruan se Kosova zyratarisht është kandidat për t’i pritur Lojërat Mesdhetare 2030.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të nderuara media, pak më herë përfunduam takimin e përbashkët me Komitetin Olimpik të Kosovës”, tha fillimisht Albin Kurti.

“Kam kënaqësinë e veçantë që të ndajë me ju lajmin e shkëlqyeshëm se Kosova zyrtarisht është shteti kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’”.

“Sporti zë vend të veçantë te çdo qytetar i Kosovës dhe kjo si rezultat i talentit  dhe sukseseve të shumta ndërkombëtare”.

“Lojërat Mesdhetare 2030 shënojnë edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multisportive, e cila i bën bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilat preken nga ujërat e Mesdheut”.

“Mbështetjen për sportin e kemi rritur 200 për qind. Organizimi parashihet të mbahet në shtatë komunat më të mëdha në vend dhe përmes këtij koncepti do të sigurojmë trashëgimi të qëndrueshme të këtij investimi dhe njëkohësisht ndikimi do të ndihet në çdo cep të vendit tonë”.

“Mirëpritja e këtyre lojërave në Kosovë në vitin 2030 pasqyron vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen e të rinjve tanë”.

“Konsolidimi i imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcimi i përkatësisë dhe identitetit shtetëror, infrastrukturë fizike e modernizuar, ekonomi e ringjallur përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të turizmit sportive – këto janë disa nga përfitimet direkte të Kosovës përmes këtij organizmi”, ishin disa nga fjalët e Albin Kurtit.

Pas Kurtit, fjalën e pati edhe i pari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili ka thënë se organizimi i Lojërave Mesdhetare do të ishte një mundësi e mirë për Kosovën.

“KOK është anëtar me të drejtat të plota në komitetin e Lojërave Mesdhetare që nga viti 2015. Jam i lumtur që instancat e politikës i kuptojnë rëndësinë e sportit. Lojërat mesdhetare do te ndikonin në të gjitha segmentet e shoqërisë. Sot si kurrë më parë e kemi mundësin që të zhvillojmë sportin në Kosovë”, tha ndër tjerash Ismet Krasniqi.

Ndërkohë, fjalën e mori edhe Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, duke thënë se ky organizim do të ketë ndikim të madh në sport.

“Kënaqësi që ditën e djeshme Kosova morri statusin kandidat. Ky projekt përveç ndikimit të madh që do të ketë , do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madhe të sportit”, tha Osmani.

“Do të ketë impakt që kampionet tanë t’i ndjekim në garat që do të zhvillohen. Organizmi e ka konceptin e shtrirjes në tërë territorin e Kosovës. Prej tash e tutje së bashku me KOK do të punojmë që ti arrij afatet për aplikim zyrtarë. Në fund të qershorit mund ta marrim lajmin që Kosova është pranuar për këto lojëra”, ka thënë Daulina Osmani.

Sipas Osmanit, në muajin qershor do të kuptohet se a do ta fitojë Kosova kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore