Kosova

Konferenca e 11-të mbi rastin e Thaçit dhe të tjerëve në Speciale mbahet më 24 mars


Ilustrim

Konferenca e 11-të për ecurinë e çështjes në rastin kundër Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pritet të mbahet më 24 mars, pikërisht në ditën e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi (Ish-Jugosllavi), në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, ku thuhet se konferenca në fjalë nis në orën 14:30.

 

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore