Kosova

Komisioni i Arbitrazhit për Asociacionin është jokushtetues – “juridiksioni i tij duhet t’i takojë Gjykatës Kushtetuese”


Foto: Albanian Post

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke folur për nenin 42 të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – i pranuar në parim nga Kosova – i cili parasheh arbitrazh në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet këtij mekanizmi dhe Autoriteteve Qendrore (Qeverisë), tha se po të mos ishte kjo dispozitë do kishte hendek ligjor, kjo për faktin se për zgjidhjen e këtij konteksti, juridiksioni aktual i Kosovës nuk përmban një mekanizëm të tillë, mirëpo nga njohësit e çështjeve kushtetuese ky nen po konsiderohet si antikushtetues dhe se i njëjti është tërësisht jashtë rendit ekzistues juridik të vendit.

Sipas avokatit Jeton Hasani, neni i Asociacionit ku flitet për arbitrazhin, do linte jashtë rendit kushtetues të Kosovës çështje jetike për cilësinë e kushtetutshmërisë së vendit.

“Draft-Statuti i propozuar për Asociacionin parasheh që për çdo zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndërmjet autoriteteve qendrore dhe Asociacionit rreth zbatimit dhe interpretimit të Statutit, kompetent do të jetë një komision arbitrazhi me përbërje të përzier – duke anashkaluar kështu tërësisht një materie tejet të rëndësishme juridike nga kontrolli kushtetues ekzistues”, tha Hasani në një prononcim për Albanian Post.

Draft-Statuti, si i tillë, vijon shpjegimin njohësi i çështjeve kushtetuese, “është tejet i gjerë dhe me dykuptimësi të mëdha”.

Komisioni i arbitrazhit, gjithmonë sipas draft-statutit, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë (Qeveria dhe Asociacioni) në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Por, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian.

Madje, në draft theksohet se komisioni do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Dhënia e kompetencave interpretuese dhe vlerësuese një autoriteti si komisioni i arbitrazhit – ku Kosova është vetëm palë në proces – për zbatim dhe interpretim të Statutit, do linte jashtë kontrollit kushtetues kosovar çështje tejet jetike për cilësinë e kushtetutshmërisë në vend”, tregon avokati Hasani për AP.

Lajçak, në një intervistë për gazetën “Express”, duke folur për nenin që parasheh arbitrazh në zgjidhjen e kontesteve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit ka thënë se “pa këtë dispozitë, do të kishte një hendek ligjor sepse korniza ligjore e Kosovës as nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve për këtë lloj kontesti dhe as nuk e parasheh juridiksionin e gjykatave të Kosovës në raste të tilla”.

Edhe Hasani e pohon faktin se momentalisht ekziston zbrazëti ligjore rreth mundësisë së kontrollit kushtetues të raporteve mes autoriteteve qendrore dhe Asociacionit si dhe “çdo mëdyshjeje rreth zbatimit dhe interpretimit të Statutit që do miratohej në të ardhmen”, derisa shpjegon se si mund të rregullohet kjo çështje në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës dhe është e qartë që aty mungon kompetenca aktuale për një gjë të tillë. Mirëpo, në fund të po atij neni, Kushtetuta parasheh se juridiksioni shtesë i Gjykatës Kushtetuese mund të rregullohet me ligj”.

Avokati dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Jeton Hasani.

“Fakti se ekzistojnë zbrazëtitë juridike aktualisht nuk arsyeton veprimin që përmes një akti siç është Statuti, të anashkalohet një materie kaq e rëndësishme nga kontrolli i Gjykatës Kushtetuese dhe e njëjta t’i bartet në mënyrë kundërkushtetuese një autoriteti si komisioni i arbitrazhit”, thekson ai.

Kjo zbrazëti juridike, shpjegon Hasani, “do duhej të plotësohej përmes ligjit – ose eventualisht përmes ndryshimeve kushtetuese – e assesi përmes Statutit”.

Funksionalizimi i një komisioni të tillë të arbitrazhit, tregon pasojat ai, “do nënkuptonte funksionim të tij tërësisht jashtë rendit ekzistues juridik kosovar”, ku i njëjti, siç thotë ai, “nuk do funksiononte mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës të Kosovës”.

Prandaj, vlerëson njohësi i çështjeve kushtetuese, kjo dispozitë nuk duhet të jetësohet “asnjëherë”, por, sipas tij, në vend të saj “duhet të përcaktohet juridiksioni shtesë i Gjykatës Kushtetuese përmes akteve konkrete normative që do respektonin dispozitat kushtetuese”.

Draft-Statuti “evropian” për Asociacionin, ndonëse nga ata që e kanë hartuar, pra Bashkimi Evropian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është thënë se është ne përputhje me Kushtetutën, është kritikuar nga njohës të çështjeve kushtetuese, por edhe nga opozita për përmbajtjen e tij – e cila, sipas tyre, është në kundërshtim me rendin kushtetues.

Madje, partitë opozitare në Kosovë para, e sidomos pas pranimit zyrtar të draft-statutit të Asociacionit nga Bashkimi Evropian, kanë ngritur shqetësime serioze për atë se çfarë përmban drafti – të cilin Kosova, përkatësisht kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar në parim – i këtij mekanizmi.

Duke shprehur shqetësimet e tyre, opozita, konkretisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë thënë se drafti i Asociacioni përmban autonomi të zgjeruar për komunitetin serb në Kosovë, madje sipas tyre ka tendencë drejt federalizmit.

Nenet kryesore të draft-statutit modern evropian të Asociacionit

Të shtunën e 11 nëntorit, për herë të parë, u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.

Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor.

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Te neni 12, te pjesa e bashkëpunimit, thuhet se Asociacioni  do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Një bashkëpunim i tillë, theksohet aty, mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale.

Ndërsa, parashihet që donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në pajtim me ligjin në fuqi”, thuhet aty.

Një nen tjetër që parasheh ky draft-statut i Asociacionit është ai i 14, ku bëhet fjalë për menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të cilat, sipas këtij drafti, themelohen dhe financohen nga Serbia.

Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar nga Serbia, sipas hapave të mëposhtëm:

“Në frymën e nenit 13 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas këtij drafti, në Kosovë, këta bartës do të kërkojnë të kenë statusin e arsimit privat të huaj dhe ofruesve të huaj privat të kujdesit shëndetësor. Asociacioni do të kërkojë t’i regjistrojë këta ofrues dhe të marrë licenca operimi në përputhje me ligjin në fuqi.

“Çështjet që kanë të bëjnë me planprogramin arsimor do të rregullohen në pajtim me ligjin në fuqi. Me licencimin, Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë”.

Pos këtyre, aty theksohet se Asociacioni do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës me qëllim që këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, parasheh ky draft, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkë-financuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Kurse te neni 42 bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Te pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Ky komision, pohohet aty, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Mirëpo, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, “do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian”.

Madje, në draft theksohet se komisioni i do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar të shtunën, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa në nenin 43 parashihet që duke vepruar në emër të Asociacionit katër kryetarët e komunave të Kosovës Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim si Komandant Rajonal i Policisë së Kosovës, siç specifikohet në nenin 9 të Marrëveshjes së Parë, çka nënkupton se komandanti i policisë në këtë rajon duhet të jetë serb, pra përzgjidhet etnikisht.

Emri zyrtar i këtij mekanizmi do të jetë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa selia e tij do të jetë në Mitrovicën e Veriut.

Asociacioni, gjithmonë sipas këtij drafti, do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore