Kosova

LDK: Mbështetja e ShBA-ve dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s rezultoi në avancimin e Kosovës në anëtare të asociuar


“Mbështetja e vazhdueshme dhe e palëkundur e ShBA-ve dhe anëtarëve tjerë të NATO-s sot rezultoi në avancimin e Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar”.

Kështu thuhet në reagimin e LDK-së pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-së që ka miratuar rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

“Miqësia dhe bashkëpunimi me Amerikën dhe NATO-n ishin dhe mbeten pjesë themeltare të vizionit të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Përkushtimi i Kosovës tash e disa dekada për paqen, stabilitetin dhe parimet demokratike u pasqyrua në mbështetjen e NATO-s ndaj vendit tonë”.

Sipas LDK-së, Kosova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë falënderuese ndaj shteteve anëtarë të NATO-s që edhe sot, si gjithnjë, “na qëndruan pranë dhe me votën e tyre mundësuan avancimin e statusit tonë”.

“Mbetet edhe shumë punë deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO. LDK-ja do të vazhdojë kontributin e saj, të filluar qysh më 1989, drejt integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike”.

Ndryshe, Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, miratoi të hënën rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar – një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.

Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, institucion që përbëhet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të aleancës, në mars të këtij viti vendosi në favor të avancimit të statusit të Parlamentit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar nga statusi i mëparshëm i anëtarit vëzhgues.

Anëtarët e asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Ata mund të paraqesin rezoluta dhe propozime për ndryshime në rezoluta. Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë e as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilën Kosova tash është anëtare e asociuar, nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore