Lajme

KMDLNj: Serbia është duke tensionuar situatën në Kosovë përmes dezinformatave


Flamuri i Kosovës dhe i Serbisë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar rreth situatës në Veri, duke thënë se në raport me Kosovën, Serbia vazhdimisht është duke përdorur dezinformata ndaj qytetarëve.

Ky këshill përmes një komunikate për media ka theksuar se që nga vendimi për targat nga Serbia janë lëshuar tri dezinformata.

“Serbia përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të Kosovës e ka tensionuar situatën sikur që po kërcënon edhe serbët që jetojnë në Kosovën qendrore se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës duke i quajtur “serbët e Kurtit“. Këto dezinformata nuk po përdoren rastësisht dhe në këtë kohë por se kanë një vijimësi të keqpërdorimit për qëllime politike”, thuhet nga KMDLNJ.

Sipas tyre, askush nuk është duke ndërmarrë ndonjë veprim për të ndaluar keqinformimin e qytetarëve.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“KMDLNj –ë, ka reaguar për të gjitha këto raste duke kërkuar zbardhjen e tyre dhe vënien para drejtësisë të atyre që kanë përgjegjësi mirëpo, asnjë nga këto raste nuk ishte zbardhur ndërkohë që përgjegjësia arbitrarisht ishte adresuar te shqiptarët. Është e habitshme se si faktori ndërkombëtar nuk kontribuoi në zbardhjen e asnjë rasti”.

Ndërsa, kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të këmbëngulin në zbardhjen e këtyre rasteve.

“Serbia i përdorë për ta fajësuar Kosovën ndonëse nuk e kanë asnjë fakt për këtë”.

Megjithatë, KMDLNj ka bërë thirrje që të ruhet qetësia edhe tek institucionet, por edhe tek qytetarët për arsyeje se situata mund të përshkallëzohet.

“Institucionet e Kosovës dhe qytetarët duhet tregojnë maturi sepse, përkundër përpjekjeve për destabilizim të situatës, KMDLNj mendon se nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës dhe se kjo situatë do të tejkalohet në mënyrë paqësore”.

Situata në Veri

Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, të mërkurën dorëheqjet e tyre kanë dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave dhe deputetëve serbë të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në mënyrë të organizuar me qëllim të bojkotimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje në mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre.

Në anën tjetër të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për emrat e personave në radhë për të zëvendësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Të njëjtit janë duke kundërshtuar planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Beogradi, që ushtron kontroll mbi ta, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por institucionet e Kosovës  nuk heqin dorë nga vendimi i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore