Lajme

Kina ‘shpreson’ të arrijë objektivin e rritjes ekonomike prej ‘rreth 5%’ në 2023


Kina është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e saj të rritjes këtë vit, tha të martën Kryeministri Li Qiang, pavarësisht nga një ngadalësim i rimëkëmbjes në ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kinës u rrit me 3 për qind vitin e kaluar, larg objektivit zyrtar prej 5.5 për qind dhe me një nga ritmet më të ngadalta në katër dekada.

Për vitin 2023, ky objektiv është vendosur në “rreth 5 për qind” nga qeveria.

“Këtë vit kemi shpresën që të arrijmë (këtë) objektiv të rritjes”, deklaroi kryeministri kinez, i cili mban frenat e ekonomisë në vendin e tij.

Li Qiang, figura e dytë shtetërore, po fliste në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror në Tianjin (Kina e veriut).

Këto komente vijnë në një kohë kur ekonomia e dytë më e madhe në botë po përballet me shumë vështirësi.

Rimëkëmbja e shumëpritur pas COVID-it pas heqjes së kufizimeve shëndetësore në fund të vitit 2022 ka tentuar të mbarojë në javët e fundit dhe po përpiqet të materializohet në sektorë të caktuar.

Ekonomia po penalizohet nga mbi-borxhi i sektorit të pasurive të paluajtshme (një shtyllë tradicionale e rritjes), konsumi i ngadaltë në një kontekst pasigurie në tregun e punës dhe ngadalësimi i ekonomisë globale, i cili po rëndon kërkesën për mallra kineze.

Për të stimuluar aktivitetin, banka qendrore kineze ka bërë disa ulje të normave në javët e fundit, në një kohë kur shumë ekonomistë po kërkojnë më shumë për një plan stimulues.

Por autoritetet duket se po e përjashtojnë këtë opsion për momentin, në favor të masave të synuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore