Shqipëria

Kim: Të trishtuar nga zjarret në jug, ekspertët amerikanë gati për të ndihmuar


“Ashtu si çdokush në Shqipëri, përfaqësia amerikane në Tiranë është e trishtuar nga shkatërrimi që kanë sjellë zjarret në jug të vendit”.

Është ky reagimi i Ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, pas ditëve të tëra të luftës ndaj flakëve në Shqipëri.

Ekspertë zjarrfikës amerikanë, kanë mbërritur këtë fundjavë posaçërisht për të ndihmuar në lehtësimin e situatës. Këtë e ka theksuar vetë ambasadorja në një postim në Twitter.

Ndër të tjera, ajo bën me dije se pajisjet e dhuruara më parë nga amerikanët, po përdoren në shuarjen e zjarreve. Këtu, përfshihen edhe të ashtuquajturit “Bambi buckets”, të cilët janë kontejnerë uji që i atashohen helikopterëve, për të luftuar flakët.

“Veshje të posaçme, pajisje dhe materiale mbrojtëse amerikane, po përdoren tashmë për të mbrojtur jetët e shqiptarëve, shtëpitë, bizneset”, shkruan ambasadorja.

Mbështetje e plotë, është shprehur për Forcat e Armatosura shqiptare, në misionin e tyre për asgjësimin e vatrave.

Ndihmë ka ardhur edhe nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë. Dy helikopterë holandezë dhe një nga Republika Çeke, po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit në jug të vendit. Një prej tyre, mund të vihet në punë edhe në zonën veriore, pasi ka disa vatra të rrezikshme.

Shtatë, janë ato aktive deri tani në Shqipëri. Kryesoret, në Karaburun dhe Dukat, janë drejt shuarjes. Por, era është në favor të flakëve, ndaj operacioni është më i vështirë.

Ndërsa një valë zjarret “apokaliptike” ka përfshirë gjithë pellgun e Mesdheut. Greqia e Turqia kanë qenë ndër të prekurat më rëndë.

Ndërsa një panoramë e një prej departamenteve të NASA-s, ka theksuar se e gjithë bota është nën ferrin e flakëve. Zona të Afrikës, Evropës, dy Amerikave, Azisë dhe Australisë, po përballen me ditë të vështira prej situatës së zjarreve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore