Kosova

Këshilli i Prindërve: S’ka kuptim kompensimi i orëve, pa pagesën e mësimdhënësve


Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

Këshilli i Prindërve të Kosovës sërish ka reaguar për mospagesën e mësimdhënësve për muajin shtator për shkak të grevës.

Nga ky këshill përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ është thënë se pa u paguar mësimdhënësit s’ka kuptim as kompensimi i orëve.

“Pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor (edhe ashtu i përpiluar pa asnjë konsultim me këshillin e prindërve) e aq më pak kompensimi i orëve të humbura nga greva”, ka shkruar Këshilli.

Greva në Arsim.

Nga këshilli është shtuar se vendimi që grevistët e sektorëve të tjerë të paguhen ndërsa punonjësit e arsimit jo, është i padrejtë.

“Për shumicën e prindërve të Kosovës, mosdhënia e pagave nga Qeveria e Kosovës vetëm mësimdhënësve grevistë (ndërsa të punësuarit grevist në sektorët e tjerë janë paguar) është vendim i kontestueshëm ligjërisht, i padrejtë dhe i dëmshëm në shumë dimensione. As kushtëzimi apo riemërtimi i dhënies së pagës nuk është aspak më i mirë, përkundrazi”.

“Për habinë më të madhe as punëtorët teknikë, menaxhmentet e shkollave, mësimdhënëset lehona apo mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim nuk janë paguar. Pra një seri gabimesh, me pasoja juridike, në këtë vendim”.

Konfirimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se nuk do të ketë pagë për grevistët, po i shtyn punonjësit e arsimit që ta mendojnë rikthimin e grevës.

Kështu deklaroi Hanife Salihu, nga Këshilli Grevist  i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në një bisedë për Albanian Post.

“Për mosekzekutimin e pagave do të konsultohemi me anëtarësinë se a do të kthehemi në grevë, të ju kujtoj edhe një herë që ne vetem e kemi pezulluar grevën nuk e kemi ndaluar”, thotë Salihu për AP.

SBASHK-u, në asnjë mënyrë nuk do të pajtohet me vendimin e fundit të Qeverisë të njëjtit paralajmërojnë edhe kallëzim penal ndaj ministrit Murati.

“Ne një asnjë variant nuk pajtohemi. Jo vetëm që nuk pajtohemi, por është kundër aktit ligjor vendimi që janë duke e ndërmarrë Ministria e Financave dhe Qeveria. Për muajin e kaluar kemi ngritur kallëzim penal për ministrin Hekuran Murati dhe sërish do të ngrisim nëse nuk vazhdon procesi i ekzekutimit të pagave”.

“Në asnjë variant nuk pranojmë që të ndëshkohen mësimdhënësit ngase është edhe shkelje e të drejtave të njeriut mos pagesa e punëtorëve arsimor”, u shpreh tutje Salihu.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore