Kosova

Kearns e Merezhko: Vuçiçi është irredentist e ultranacionalist agresiv – politika e tij është e ngashme me të Putinit


Aleksander Vucic dhe Vladimir Putin

Kryesuesja e Komitetit për Punët e Jashtme të Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, së bashku me homologun e saj ukrainas, Oleksandër Merezhko, kanë folur për gazetën ukrainase “Kyiv Post” në lidhje me kërcënimet e vazhdueshme të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndaj Ukrainës dhe vendeve që mbështesin Kosovën.

Liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në kryeqytetin grek të hënën së bashku me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian për të diskutuar të ardhmen evropiane të rajonit, ku ndër personalite të tjera, prezent ishte edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili edhe zhvilloi një takim dypalësh me presidentin serb.

Zelenskyy pas takimit tha se me homologun e tij serb ka pasur një takim të “frytshëm”, ndërsa Vuçiçi pas takimit me homologun e tij ukrainas tha se “Ukraina s’do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën”. Kjo, në një kohë kur Serbia po refuzon kategorikisht vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe njihet për lidhjet e forta me Kremlinin.

“Për një kohë shumë të gjatë, pretendimi i Vuçiçit për të mbajtur balancën e ka lejuar Serbinë që të shpëtojë përkundër akteve skandaloze siç janë ato të frikësimit dhe madje edhe rrëmbimit të tre policëve kosovarë brenda Kosovës”, ka thënë fillimisht Kearns.

“Vuçiçi dhe politikanët nacionalistë në Serbi janë irredentistë – ata nuk besojnë në të drejtën e Kosovës për shtetësi, apo ajo që është më shqetësuese, edhe të drejtën e saj për të ekzistuar”, ka theksuar deputetja britanike.

E deputeti ukrainas ka nënvizuar se politika e Vuçiçit në Ballkanin Perëndimor është e ngjashme me atë të presidentit të Rusisë, Vladmir Putin, në raport me shtetet fqinje, ndërsa ka shtuar se Kremlini gjithmonë shfrytëzon destabilizimin në rajon me synim për të larguar Perëndimin nga mbështetja e saj për Ukrainën.

“Synimi është të arrijë vetëm një gjë – më tepër fuqi dhe ndikim për veten dhe kjo politikë e Vuçiçit rezonon me forcat ultranacionaliste agresive brenda Serbisë […] Rusia mund të besojë naivisht se konflikti i hapur do të shpërqendronte Perëndimin nga angazhimi i tij ndaj Ukrainës, por kjo është absolutisht e gabuar”.

Serbia ndodhet në mesin e vendeve të pakta që akoma nuk i ka vendosuar sanksione Rusisë për agresionin e paprovokuar dhe të paligshëm në Ukrainë, ndërsa Kosova është ndër vendet e para që prej fillimit të agresionit në shkurt të vitit 2022 ka dhënë mbështetjen e saj për Ukrainën dhe popullin ukrainas.

Zyrtarët serbë në krye me presidentin Vuçiç, vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, ngase Beogradi po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore