Lajme

Kazakistani me 164 të vrarë në javën e protestave


Në Kazakistan, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të dielën e 9 janarit se janë vrarë 164 persona në protestat që kanë tronditur vendin gjatë javës së kaluar.

Këto shifra tregojnë një rritje të konsiderueshme nga të dhënat e mëparshme. Por nuk dihet nëse vdekjet u referohen vetëm civilëve apo nëse përfshihen edhe ato nga forcat e rendit.

Sipas ministrisë, shumica e vdekjeve ishin në Almaty, qytetin më të madh të vendit, ku demonstruesit zunë ndërtesat qeveritare dhe i vunë flakën disave prej tyre.

Madje, Avokati i Popullit ka treguar se tre nga të vrarët janë të mitur, ku përfshihet edhe një vajzë 4-vjeçare.

Agjencia “Associated Press” tregon se më parë ministria ka raportuar se më shumë se 2 mijë e 200 njerëz kanë marrë trajtim për lëndimet e marra në protesta.

Kurse Ministria e Brendshme ka zbuluar se janë plagosur afro 1 mijë e 300 oficerë sigurie.

Zyra e atjeshme e presidentit ka thënë se janë arrestuar nga policia afro 5 mijë e 800 njerëz përgjatë protestave të javës së kaluar, të cilat nxitën aleancën ushtarake të udhëhequr nga Rusia për të dërguar trupa në vend.

Të dielën, zyra ka treguar se rendi është stabilizuar dhe se autoritetet kanë rifituar kontrollin e ndërtesave administrative që u pushtuan nga protestuesit.

Protestat i kanë pasur fillesat nga një rritje e mprehtë e çmimeve të karburantit. Fillimisht nisën në perëndim të vendit më dy janar dhe u përhapën në të gjithë vendin, duke reflektuar pakënaqësinë që shkon përtej çmimeve të karburantit.

“Associated Press” tregon se Kazakistani është qeverisur nga e njëjta parti që nga pavarësia nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Dhe se çdo figurë që aspiron ta kundërshtojë qeverinë është shtypur.

Ndërkaq, vështirësitë financiare janë të përhapura pavarësisht nga rezervat e mëdha të naftës, gazit natyror apo uraniumit.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev pretendon se demonstratat u ndezën nga “terroristët” me mbështetje të huaj.

Deklarata nga zyra e tij ka nxjerrë në pah se ndalimet përfshinin “një numër të konsiderueshëm shtetasish të huaj”, por nuk dhanë detaje.

Gjithashtu ngeli e paqartë se sa prej të arrestuarve mbetën në paraburgim.

Sipas autoriteteve vendase, forcat e sigurisë kanë vrarë 26 demonstrues në trazirat e kësaj jave dhe se 16 oficerë të zbatimit të ligjit kanë vdekur.

Me kërkesë të Tokayev-it, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë ushtarake e gjashtë ish-shteteve sovjetike e udhëhequr nga Rusia, autorizoi dërgimin e rreth 2 mijë e 500 trupave kryesisht ruse në Kazakistan si paqeruajtës.

Një pjesë e forcave po ruan objektet qeveritare në kryeqytetin Nur-Sulltan, i cili “bëri të mundur lirimin e një pjese të forcave të agjencive të zbatimit të ligjit dhe rishpërndarjen e tyre në Almaty për të marrë pjesë në operacionin kundër terrorizmit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore