Shqipëria

Kandidatët e Berishës shkojnë në zgjedhje si përfaqësues të LSI-së


Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, të mërkurën e 9 shkurtit, ka dërguar emrat e kandidatëve të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale, të 6 marsit.

Edhe pse KQZ nuk e regjistroi nismën e Sali Berishës në zgjedhjet e 6 marsit- pasi logot dhe simboli me të cilët përfaqësohet, i përkasin Partisë Demokratike (PD)- kandidatët e Komisionit të Rithemelimit do të kandidojnë si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

Bëhet fjalë për Elton Banon, mbështetësin e ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha, i cili kërkon drejtimin e Bashkisë së Lushnje.

“Shtëpia e Lirisë” do të përfaqësohet me Premtim Kryemadhin në Dibër, me Ardian Muka në Durrës, me Hekuran Xhanin në Rrogozhinë dhe Lulzim Vranën në Vlorë.

Kurse në Shkodër, koalicioni do të përfaqësohet nga mbështetësi i LSI-së, Bardh Spahia.

Më herët, Celibashi ka njoftuar se janë regjistruar zyrtarisht 11 subjekteve partiake në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Përkatësisht regjistrohen partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Më 31 janar LSI-ja dhe PDK-ja firmosën koalicionin për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit me Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, nën logon “Shtëpia e Lirisë”.

Ndërsa më 1 shkurt, LSI-ja ka paraqitur KQZ-së, kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore