Përballje

Juventus triumfon në derbin e qytetit ndaj Torinos


Juventus është rikthyer te fitorja pas dy humbjeve radhazi në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve, teksa në ndeshjen e javës së 10-të në kampionatin italian, e ka mposhtur rivalin e qytetit, Torinon, me rezultat minimal 0:1.

Pjesa e parë e kësaj sfide u karakterizua me pak raste konkrete për gol, derisa më të mirin e pati Manuel Locatelli në minutën e 35-të, por nuk arriti ta kalojë ekipin e tij në epërsi.

Edhe pjesa e dytë ishte e kujdesshme nga dyja ekipet, teksa rastet më të mira për gol i pati Juventus-i.

Bardhezinjtë arritën ta gjejnë golin e epërsisë në minutën e 74-të, kur Dusan Vlahovic u gjend më së miri në zonë për ta shtyrë topin në rrjetë pas një goditje nga këndi.

Deri në fund të ndeshjes, vendasit u munduan të reagonin, por mysafirët e ruajtën epërsinë minimale për t’i marrë pikët maksimale nga ky derbi lokal.

Kjo fitore është një dritë në fund të tunelit për ekipin e Allegri-t, të cilët nuk po kalojnë në formë të mirë.

Me këto tre pikë, Juventus ngjitet në vendin e shtatë me 16 sosh, ndërsa Torino gjendet në vendin e 11-të me po kaq pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore