Shqipëria

Interesim i lartë edhe në Milano – Shqiptarët e Italisë presin Ramën


Shqiptarët e Italisë janë në pritje të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për një takim në turin e Diasporës që ky i fundit ka ndërmarrë gjatë muajit maj dhe qershor.

Në pamjet e para të shpërndara në media sociale, vihet re një interesim i lartë për këtë takim, ku salla në të cilën takimi do të mbahet është e mbushur me shqiptarë dhe me flamuj kuqezi, në pritje të Ramës.

Vetë kreu i Qeverisë shqiptare, ka bërë me dije se është gati t’i takojë bashkëkombasit e tij, pas takimit të parë tejet pozitiv të zhvilluar në Athinë, ku me mijëra shqiptarë morën pjesë.

Çfarë pritet?

Pallati i Sporteve në Busto Arsizio do të kthehet në skenën e një takimi historik për diasporën shqiptare në Itali.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama – ashtu siç është paralajmëruar – ndodhet në Milano për t’u takuar me bashkatdhetarët e tij.

Kjo në kuadrin e një turi që ka si synim mundësinë unike për t’u rilidhur me rrënjët dhe për të diskutuar perspektivat e së ardhmes.

Eventi, si ai i mbajtur në Greqi, do të përfaqësojë një mundësi të papërsëritshme për t’u afruar më shumë me rrënjët shqiptare dhe për të eksploruar mundësitë e mundshme investimi në Shqipëri.

Takimi do t’i lejojë pjesëmarrësit jo vetëm të takohen personalisht me kryeministrin, por edhe të shijojnë performancat e disa prej artistëve më me zë për komunitetin shqiptar.

Krenar për Shqipërinë, turi i diasporës ‘zbarkon’ në Milano

Noizy, Anxhela Peristeri, Artiola Toska dhe Alban Skënderaj do të ngjiten në skenë për të ofruar momente festive për komunitetin shqiptar.

Ky i fundit në Itali numëron mbi gjysmë milioni njerëz, me një prani të konsiderueshme në Lombardi, ku banojnë më shumë se 90 mijë shqiptarë.

Kjo e bën komunitetin shqiptar një nga më të mëdhenjtë ndër komunitetet e huaja në Itali.

Zgjedhja e kryeministrit Rama për të ardhur në Lombardi nënvizon rëndësinë e rajonit dhe popullsisë së tij shqiptare.

Vizita në Busto Arsizio është pjesë e një fushate më të gjerë që synon përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe promovimin e vendit si një destinacion i privilegjuar për investime, veçanërisht në sektorin e turizmit, i cili siç tregojnë shifrat po shënon rritje të shpejtë.

Rama ka nisur prej kohësh një fushatë promovuese për tërheqjen e investimeve në Shqipëri, duke u fokusuar në veçanti te turizmi.

Takimi do të shërbejë gjithashtu për të diskutuar këto mundësi investimi, duke u ofruar pjesëmarrësve një vizion të drejtpërdrejtë të potencialit që ofron Shqipëria.

Kjo gjë u vu re edhe në takimin e 12 majit në Athinë, ku mijëra emigrantë, të cilët jetojnë në vendin fqinj, u mblodhën për të dëgjuar reflektimin e kreut të qeverisë së atdheut të tyre, në një tubim ndër më të mëdhenjtë dhe më me interes të një lideri shqiptar jashtë vendit.

Ajo çfarë nisi në fillim si një frikë nga fqinjët se mund të kishte provokime në fjalimin e Ramës, sa i takon çështjes Beleri, rezultoi në fakt në një fytyrë krejtësisht të ndryshme dhe në një shtrirje dore për lidhjen e një fqinjësie, miqësie dhe vëllazërie më të fortë mes dy popujve.

Lehtësimi i jetës së shqiptarëve, ligji i luftës dhe e ardhmja evropiane – Cilat ishin mesazhet e Ramës në Athinë?

Në vëmendje kryesore, ishin pa diskutim shqiptarët, me një sërë çështjesh, të cilat gjetën prioritet në fjalimin e kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore