Lajme

Jeta e Glaukut


Nuk mund të ketë interpretim të intervistës së djeshme të kryekuvendarit Glauk Konjufca pa interpretim paraprak të sjelljes së gazetares së pushtetit, Jeta Xharra.

Marrëdhënia e tyre tregon diçka shumë më të thellë për marrëdhënien e këtij pushteti me një pjesë të gazetarisë së dhënë pas tij. Jeta, e cila ka dëshirë të hiqet për një gazetare rebele dhe sfiduese (ndonëse tani është bërë edhe fytyrë e marketingut të pijeve energjetike GO+), u shfaq e nënshtruar, me gjithë dëshirën të duket ndryshe, dhe manipuluese në disa pika kyçe të kësaj bashkëbisede tejet domethënëse sa i përket mesazheve politike.

E nënshtruar? Patjetër.

Kur Konjufca i tha në një moment mos atribuoni motive të këqija prapa dështimit për ripërtërije të sistemit të teknikës së Kuvendit, ajo disa herë iu arsyetua duke i thënë nuk po e bën këtë, sa për të shmangur ndonjë keqkuptim me pushtetin.

Ngjashëm ndodhi edhe kur Glauk Konjufca i tërhoqi vërejtjen asaj se nuk duhet t’iu thuhet ‘sanksione’ por ‘masa’ veprimeve ndëshkuese të BE-së në raport me Kosovën.

Përveç që pranoi në mënyrë krejtësisht jo kritike një sanksionim të tillë, Jeta vendosi të vazhdojë gjatë tërë emisionit t’iu referohet si ‘masa’ duke u vetë korrigjuar para vështrimit të pushtetit.

Ajo fare lehtë mund t’i thoshte se ishte vetë kryeministri që nga Brukseli kërkoi të kuptohet qartë se këto janë sanksione, vetëm se BE-ja tinëzisht po i quan masa në mënyrë që të mos të ketë nevojë t’i dërgojë për votim te shtetet anëtare.

Ai alarmoi në disa raste se ato janë të rënda më shumë se që duken dhe penguese më shumë se që kuptohet. Edhe Jeta, njëjtë si Kryeministri Kurti, i quajti sanksione, por u zmbraps para presionit të Glaukut po si kryeministri para presionit ndërkombëtar dhe me dëmet e njëjta për reputacionin e saj.

Po ashtu, edhe kur Konjufca bëri sikur po arsyetohej plot siklet për lëshimet ndaj Serbisë, Jeta kujdesej gjithmonë të thotë mirë keni bërë, nuk po them se kjo është keq, por a është ndryshim i VV-së.

Pyetjen e pranimit të përgjegjësisë për arritjen e një marrëveshje me Asociacion pa njohje Jeta Xharra e reduktoi në çështje të pranimit të ndryshimit të VV-së. Sikur risia qenka procesi normal i ndryshimit të qëndrimit e jo abnormaliteti i sjelljes kur për të njëjtin gjë një kryeministri i patën bërë atentat me gjemba nën makinë e për vete e proklamojnë si shkathtësi negociuese.

Në këtë kuptim, Jeta Xharra nuk ishte asgjë më shumë se përbrendësuese e keqe e ligjëratës politike të pushtetit.

Manipuluese? Po, pikërisht.

Pavarësisht nënshtrimit të plotë politik, ajo kujdesej ta luajë gazetaren e vështirë në çështje margjinale sa i përket problemeve të kësaj qeverie: Glauk Konjufca po tregonte se jo vetëm që Marrëveshja në Bruksel e në Ohër e ka Asociacionin sipas vitit 2013 dhe ata e kanë pranuar si “një marrëveshje e mirë”, porse shprehte frikë në mund ta mbajnë me kaq apo do zgjerohet në diçka tjetër, por ajo thua se s’kuptonte dhe filloi sfidimin e Konjufcës për çështje të problemeve të pajisjeve teknike në Kuvend dhe kërkim llogarie për disa largime nga puna nga Kabineti i tij.

Fundja, çështja e punësimeve në kabinet është çështje ekskluzivisht e emërimeve të titullarit të kabinetit.

Sa i përket, T.A., Jeta Xhara tërhoqi vëmendjen pse ai ka humbur një grua e cila tani ligjëron në Poznan, ndërkohë që ka mundur ta pyes drejtpërdrejtë nëse personi në fjalë ka pasur marrëdhënie apo bashkëpunim me ndonjë person prej institucioneve të sigurisë në Kosovë apo jashtë saj.

E pritshme gjithçka:

ajo e cila ka qenë e gatshme t’i cenojë marrëdhëniet me ish-shefin e saj, Haki Abazin, për të ruajtur marrëdhënien me VV e Albin Kurtin, nuk mund ta bëjë një intervistë më dinjitoze me kryetarin e Kuvendit në një moment kaq delikat për fatin e Kosovës.

Ajo është një përbrendësuese e diskursit politik të VV-së, një gazetare në shërbim të propagandës së tyre, punët e të cilës i njeh hollësisht por jo plotësisht, shefi i kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi (mes disa të tjerëve). Dhe s’ka asgjë të keqe nëse e bën me zell këtë shërbim dhe mbështet qëndrimin e saj me VV-në. Por nuk rri mirë rebelizmi fals në një lëkurë nënshtruese.

T’i kthehemi tani deklaratave skandaloze të Glauk Konjufcës.

Njeriu i cili i kërkoi Jeta Xharrës ta ngre pak nivelin e debatit, sa për t’i tërhequr vërejtën se ajo po i kalon limitet me disa pyetje rreth kabinetit te tij, krahasoi librat shkollorë të Kosovës me letër tualeti. Një krahasim shumë i ndyrë, aspak dinjitoz për një njeri që hiqet si i kulturës, lapsit dhe librit.

Mirëpo, kjo anë e parafinuar e kryekuvendarit është krejtësisht e njohur për publikun i cili e ka përcjellë ndër vite. Megjithatë, ajo është e parëndësishme tani për tani.

Pyetja është cilat ishin pikat kryesore nga intervista e Glauk Konjufcës?

Ai e vazhdoi detyrën e vjetër të përcaktuar nga Albin Kurti për të shërbyer si përgatitës i opinionit publik për ndryshimet e qëndrimeve të VV-së.

Në ç’kuptim?

Nga paralajmërimi i tërheqjes së vijave të kuqe për PDK-në deri te pranimi i planit franko-gjerman, Glauk Konjufca jo vetëm që ka qenë në krye të propagandës së VV-së, por e ka bërë këtë punë me të pavërteta të njëpasnjëshme.

Foli të pavërteta, disa herë, edhe kësaj radhe me vetëdije, pa i lëvizur as syri.

Konjufa deklaroi, se plani franko-gjerman nuk përmban asgjë të re përveç njohjes de fakto prej bisedimeve të mëhershme.

Atëherë përse gjithë drama? Përse aksionet në veri pakoordinim me ndërkombëtarët që kërkonin vazhdimisht të mos destabilizohet situata? Përse kokë-ngrirja deri në paralajmërime se “po ju digjet shtëpia”?

Përse bllokim të Kuvendit për sa vjet? Përse gazlotsjellës? Përse sulme fizike, linçime publike? Përse planifikime për ndërhyrje të armatosura në institucione?

Por, nëse Xharra ka harruar t’i bëjë të gjitha këto pyetje, përse ajo i iku edhe asaj më elementares?

Kur, Glauk Konjufca e Albin Kurti, në bisedat e gjata të cilat tha se i kanë pasur, e paskan kuptuar se Kosova bëka edhe me Zajednicë, se ia vleka të formohet Asociacion në 25 për qind të territorit të Kosovës, se Zajednica nuk përbën kancerin e Kosovës?

Kur e vendosën se dokumenti që Besnik Bislimi e publikoi të marrë nga Akademia e Shkencave të Serbisë ku thuhej se Asociacioni është vetëm hapi i parë drejt Serbisë së Madhe, nuk shqetëson më?

Zonja Jetë vdiq në këtë pjesë të emisionit.

Por, ndryshimi, për të cilin më shumë do t’i kërkojnë llogari ata që sot kanë dhimbje në trup për shkak të goditjeve nga policia nëpër protesta në mbrojtje të Kosovës nga kanceri, nuk është fundi i problemit, por fillimi.

Pjesa tjetër nuk është kopsht me lule.

Glauku tha se lufta po bëhet “që të merret njohja de facto për Aasociacionin e vitit 2013, por jo më shumë”, ama nuk tregoi se edhe këtë luftë e kanë humbur.

Sipas pikës 6 të marrëveshjes, palët bien në ujdi të vazhdojnë bisedimet në një numër çështjesh të paprekura më herët, nga transporti deri te personat e zhvendosur dhe sipas pikës 7 të marrëveshjes, Kisha Ortodokse Serbe do të ketë status autonom. Glauk Konjufca e Jeta Xharra, pra, bashkuan forcat e tyre për të fshehur këtë fakt të thjeshtë.

Fakt më i ndërlikuar gjithsesi mbetet degradimi i mëtejmë i gjithë procesit dhe rreziku i Kosovës që përfaqësohet nga persona si Bislimi e Kurti.

Duke u brengosur më shumë se çfarë t’iu thonë votuesve, sesa çfarë të kërkojnë në bisedime, ata do përfundojnë me zgjerim në fushën e kompetencave të Asociacionit drejt autonomisë territoriale për serbët.

Jo rastësisht, zyrtari i lartë gjerman në Kosovë foli për një ‘opsion federal’ si zgjidhje e mundshme për palët. Po ashtu, modeli i Tirolit Jugor është përmendur në mënyrë shprehimore prej zyrtarëve të lartë të BE-së. Konjufca ka për detyrë t’i mjegullojë sa më shumë faktet rreth këtij procesi derisa në fund të ngarkohet me detyrën e relativizmit të Autonomisë territoriale.

Po ashtu, Konjufca kritikoi BE-në për kërkesa brutale ndaj Kosovës, duke harruar se vetë ata e kanë paraqitur marrëveshjen e Ohrit si të arritur të madhe të Kosovës. Vetë kjo marrëveshje përcakton se BE-ja do ta udhëheq komitetin e zbatimit të kësaj marrëveshje dhe po ashtu plani i zbatimit saktëson detyrimin e Kosovës për të filluar vënien në jetë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Me fjalë të tjera, BE nuk është duke kërkuar asgjë tjetër përveç atyre që Albin Kurti e Glauk Konjufca, në një akt të pashembullt të shkeljes së interesave shtetërore, e kanë paraqitur si fitore të madhe të Kosovës. Po ashtu, kur Konjufca e kritikon Lajçakun dhe Borrellin, nuk duhet harruar dy çështje më rëndësi, të cilat zbulojnë hipokrizinë e tij të pafundme.

Se pari, vetë Kurti e Konjufca janë angazhuar për të zhvendosur dialogun nga udhëheqja e ShBA-së tek BE-ja, me arsyetimin se po e shpëtojnë tërësinë territoriale të Kosovës nga Presidenti TRUMP dhe NATO.

Se dyti, vetë Kurti e Konjufca nuk kanë thënë asnjë fjalë për emërimin e Lajçakut në krye të dialogut Kosovë-Serbi, në kohen kur ai është kontestuar fuqishëm nga Presidenti Thaçi.

Kurti e Konjufca kanë gabuar dhe mashtruar aq shumë për të mbuluar dështimin e tyre spektakolar diplomatik sa tani me aftësitë e hatashme të manipulimeve të tyre kanë arritur në kufijtë e tyre fundorë.

Çka do të thotë kjo?

Pas takimit te Brukselit, Albin Kurti deklaroi se BE nuk po na trajton të barabartë në thelb dhe se ata kanë marrë anën e Serbisë. Me këtë deklaratë, ai pranoi që kritika e vazhdueshme se dialogu i udhëhequr prej tij nuk është i themeluar mbi njohjen e ndërsjellë dhe marrëdhënie të barabartë ka qenë e saktë. Po ashtu, ai pranoi se nuk ka bërë asgjë më shumë se që ka mashtruar kur ka thënë se Kosova me nuk është temë, por palë në dialog.

Në një mënyrë të ngjashme, Glauk Konjufca para Jeta Xharrës pranoi se ka mashtruar publikisht kur ka thënë se Asociacioni s’do bëhet dhe se Kosova po përpiqet ta ndryshojë atë.

Madje, Konjuca shtoi se për VV-në një zgjidhje e mirë ka qenë pikërisht marrja e njohjes de facto pa dhënë asgjë më shumë sesa kompromiset e arritura në marrëveshjet paraprake.

Pjesë e strategjisë së VV-së, pra, ka qenë pikërisht ruajtja e të arriturave të deri tanishme, jo shmangia e tyre. Për më shumë, duke aktruar se kinse është konstruktiv dhe i njeh meritat e pjesshme të politikave pararendëse, ai s’bën asgjë tjetër veç përpjekjes së turpshme të relativizmit të koncesioneve të papërfytyrueshme të VV-së në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Në fund, ai kërkoi falje për dështimin e tij për ripërtëritjen e pajisjeve teknike të Kuvendit dhe dështimin për rend dhe ligj. Kjo kërkim falje nuk dëshmon për një njeri të ndërgjegjshëm. Përkundrazi.

Kjo qasje tregon për një nivel krejt tjetër të manipulimit dhe demagogjisë: dështimi në qeverisje nuk duhet të adresohet nëpërmjet llogaridhënies politike, por nëpërmjet një kërkim-falje njerëzore.

Meqë Konjufca është ngarkuar me detyrën e arsyetimit prej shërbëtori të një procesi politik të ndërtuar nga Kurti, presim që këto ditë ta shohim gjithnjë e më shpesh në media në siklet dhe me deklarata të palogjikshme, siç ndodhi në emisionin e një prej gazetarëve të pushtetit, Jeta Xharrës me GO+ përballë.

Jo për energji personale, po as Jeta dhe as VV nuk të falin kur janë në pyetje interesat e caktuara në fushën e energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore