Lajme

Jashari: Në dhjetor do të ketë protesta, nëse nuk procedohet Ligji i Pagave


Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK),

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, ka njoftuar se me katër dhjetor do të protestojnë për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë.

“Ju lus që të bisedoni me prindërit që të jenë me ne me katër dhjetor, me shpresën se qeveria do të reflektojë, dhe konsideroj se katër dhjetori do të jetë alarmi i fundit për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Jashari gjatë një mbledhje që është mbajtur me kryetarët e nivelit komunal të universiteteve.

Ai ka potencuar se opsioni i parë pas katër dhjetorit do të jetë një protestë më masive, nëse s’ka reflektime “atëherë iu njoftoj që të bëheni gati për veprimet e tjera sindikale në muajin janar”.

Jasharaj ka kërkuar që gjatë miratimit të Ligjit të Pagave të jetë prezent edhe SBAShK-u.

“Ne e kemi bërë detyrën tonë që të kemi takime, sepse ka zëra dhe deklarime se Ligji për Paga, është duke u përmirësuar por që SBAShK-u, s’ka qenë i pranishëm. Ne kemi kërkuar takim me kryeministri Albin Kurti, si dhe me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati që të takohen edhe me sindikatat”.

“Duke e parë se është duke munguar vullneti nga Qeveria e Kosovës për të reflektuar ndaj kërkesës sonë për takime dhe për të biseduar për Ligjin për Paga dhe për Kontratën Kolektive”.

“Duhet të respektohet zëri i punëtorëve të arsimit, pasi që Qeveria e Kosovës po hesht dhe nuk ka dialog”.

Edhe, Ymer Ymeri nga SBAShK-u, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë për Ligjin e Pagave.

“Ne do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë tona me dialog, Qeveria pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të bisedojë me sindikatat, që pas datës katër me një pauzë dyjavëshe që s’ka rezultate, do të vazhdojmë pas dy javë me një formë tjetër të protestës”, ka thënë Ymeri.

Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, gjatë ditës së premte iu përgjigjur paralajmërimeve të SBAShK-ut për bllokadën në arsim nëse nuk  miratohet ky ligji, ka sqaruar se deri në fund të vitit ai do të jetë gati për aprovim.

“Sa i përket SBAShK-ut adresa është ministria e Arsimit. Ne kemi takime të rregullta”.

“Ata kanë shprehur pakënaqësi për Ligjin e pagave që vlen për gjithë sektorin publik dhe është duke u punuar në këtë ligj dhe deri në fund të vitit mund të aprovohet. Ne e kemi në plan shtimi e 400 psikologëve dhe pedagogëve”, shtoi Pupovci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore